Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me anë të një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me situatën e rritjes së çmimeve të produkteve të bulmetit në vend.

Sipas tij kjo rritje e “hajdutëve që trajtojnë qumështin si produkt luksi” është një dëshmi se Bordi i Çmimeve është një mekanizëm vjedhës për qytetarët shqiptarë.

Ai shtoi më tej se të gjithë kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive me një sjellje monopoliste, ndërsa vijoi më tej duke inkurajuar veprimin e Autoritetit të Konkurrencës për nisjen e hetimit për këtë rritje.

Postimi i plotë:

“Hajdutët” që e trajtojnë qumështin si produkt luksi.

Që Bordi i Çmimeve është një mekanizëm vjedhës për qytetarët shqiptarë, kjo u dëshmua sërish.
Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij janë rritur në mënyrë abuzive deri në 37%, ndërsa bordi e miraton në heshtje një vjedhje të tillë.
Kjo qeveri ndër të gjithë bëmave të zeza do mbahet mend edhe si ajo që e trajtoi Qumështin, Djathin e nënproduktet e tjera si mallra luksi.
Me gisht duhet të drejtohen qytetarët edhe ndaj një grushti personash që kontrollojnë çmimet e produkteve të qumështit. Në një sjellje monopoliste të gjithë kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive duke ua vështirësuar edhe më tepër jetesën. Me ndërhyrjet e tyre arrijnë të depërtojnë deri në qeveri për të hequr taksa të ndryshme, por çmimet për qytetarët sërish mbesin nga më të lartat.
Inkurajoj veprimin e Autoritetit të Konkurrencës i cili ka reaguar lidhur me informacionet për rritje me 37 % të çmimeve të bulmeteve në vend.
AK njofton se ka vendosur ngritjen e një grupi pune për të parë situatën në terren dhe për të evidentuar shkeljet e ligjit ndërkohë ka lajmëruar se shkelësit e ligjit për “mbrojtjen e konkurrencës” do të sanksionohen me gjobë deri në 10 % të xhiros së vitit financiar paraardhës. Ndonëse e vonuar, e inkurajoj këtë hetim dhe të mos ndalen përball joshjeve që mund të ketë rrugës.
Ndërkohë edhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet të vonojë më tej vendimin për shkrirjen e bordeve. Çdo ditë e më shumë po dëshmohet si vidhen qytetarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb