Nga: KIÇO BLUSHI*
Ajo që ndodhi këto ditë në takimin e kryeministrave në Tiranë krijoi përshtypjen se qenkësh tepër e lehtë të vendoset paqja, mirëkuptimi dhe harmonia në këtë zonë të drejtuar, sunduar e nakatosur në shekuj nga konfliktet, dasitë, urrejtja dhe folklorizmi, jo vetëm të traditës, po edhe të përditshmërisë.
Disa javë më parë ra ky mort e u pamë në Kumanovë, ku u vranë e u plagosën banorë të pafajshëm, ku u shkrumbua një lagje, për të mos përmendur tragjeditë e mëparshme të Bosnjës dhe Kosovës… Por ja që pas samitit të Tiranës u krijua përshtypja sikur në Ballkanin Perëndimor tash e tutje do të ketë vetëm hajgare. Hajgare shumëpalëshe kryeministrore, të cilat do të mbjellin në zhurishtën e kohës një shembull bashkëjetese që do të duhet ta ndjekim edhe ne, të zakonshmit, paçka se deri tani krerët tanë janë sjellë si bajraktarë inatçorë e të pandreqshëm të “rripit të Gazës” së Evropës që ndryshe quhet Ballkan Perëndimor.
Kancelaritë e BE-së dhe të SHBA-ve e sidomos zonja Merkel, që e inicioi dhe e ujdisi përbukuri këtë spektakël të vonuar politik, me siguri do të kenë mbetur të kënaqur, por edhe të habitur samëska prej rezultatit të pambuktë të samitit të Tiranës. Sa i lehtë paskësh qenë hajgarizmi i krerëve ballkanikë! Sa gojëmjaltë, sa të bindur e të urtë ngjanin! Para takimit të Berlinit ata ishin shfaqur si bajlozë të ndërkryer e të papapajtueshëm, kur në fakt paskëshin qenë qengja, ca matrioshka ruse, të cilat vetëm kravatat dhe gjatësinë e trupit e kishin të ndryshëm, por jo tekstin e deklaratave dhe buzëqeshjet diplomatike. Një regjisurë e panjohur i kishte parapërgatitur aktorët e shquar të politikës ballkananadolle, të cilët as dorën nuk ia jepnin njëri-tjetrit!
U parashikua para takimit se, po të përmendej nga organizatorët emri i kryeministrit kosovar, Vuçiç do të ikte, por ja që ai i zgjati dorën miqësisht e madje edhe i buzëqeshi Mustafës, i cili ngjante edhe prej kësaj pandehme si një “krushk i ngrirë”… Kamerat rrinin me gjak të ngrirë mos ia befte ndonjë “provokacije” tjetër. U fol që Gruevski përgjimtar, trupvogël, por me nur perandorak, do të bojkotonte samitin për shkak të deklaratës për veto në NATO që lëshoi disa ditë më parë Rama, por edhe ai erdhi, diskutoi e qëndroi me një buzëqeshje të pandryshuar në buzë… Vetëm Ciprasi grek, borxhliu më i madh i botës, nuk u vu në rresht. Kjo ishte afërsisht skena. Nuk e dimë cila dorë i komandonte dritëhijet e prapaskenës. Por në fund të fundit ç’na lipset prapaskena? Më rëndësi ka si e gjykoi dhe sa e përtypi spektatori, dmth. popujt, këtë vodevil politik dhe sa ndikim do të ketë mbas sodit ky spektakël shtinjak për të zbutur klimën konfliktuale në rajon e për të afruar plangprishësit me Evropën.
Teksa i pamë aq të dashur e të buzëqeshur, pyetjet që burojnë nga kujtesa nuk shmangen dot. Mos janë më demokratë e më të ndryshëm pashallarët e sotëm ballkanikë nga etërit e tyre, të cilët gati një shekull më parë, për vrasjen e princ Ferdinandid u bënë sebep të niste lufta e parë botërore? Mos janë të tjetërllojtë nga pararendësit që shkaktuan tragjedi në Bosnjë e në Kosovë këta të sotmit, që në shekullin e XXI, konkretisht vjet, u bënë nacionalistë të thekur edhe për një dron, i cili u hodh nga një “Ismail” në ndeshjen e futbollit Serbi -Shqipëri? Mos janë demokratizuar popujt dhe tani nuk mund të rekrutohen më mercenarë që të luftojnë kundër njëri-tjetrit? Ç’mekanizëm e ç’mjete diplomatike, ose, po të flasim me gjuhën folklorike të rajonit, ç’magji paskësh përdorur zonja Merkel që e përmbysi dhe e çmilitarizoi rajonin, duke i tjetërsuar krerët tanë? Forcën e karrotës: miliardat euro, dmth., investimet e premtuara në infrastrukturë, apo shkopin: dmth., kartën e integrim-mospranimit në BE?
Pyetjet janë sa të thjeshta, aq edhe të pashmangshme: mos vallë popujt përnjimend “janë lodhur nga durimi” dhe prej lodhjes kanë ndryshuar mendësi, meqë papritur e pakujtuar krerët tanë u hajgarizuan? Apo mos vallë trysnia e zonjës Merkel mbi ta e mbi rajonin është më e madhe edhe se ajo e BE-së dhe SHBA-ve?
Këto pyetje nuk do të marrin një përgjigje shpejt.
***
Sigurisht që popujve, me apo pa kulturë të mjaftueshme demokratike, u duhet bajagi kohë të ndryshojnë mendësi. Aq më tepër në një Ballkan ku tradicionalisht është prodhuar më shumë folklor se shkencë, luftëra se paqe, dallime se afrime, kundërshti se marrëveshje. Tradicionalisht historia nuk e ka përballuar dot ndeshjen e pabarabartë me legjendat dhe me mitet, pasi ajo, historia pra, e ka ende të vështirë të flasë e të imponohet normalisht, aq më pak objektivisht me të sotmen, ca më pak me perspektivën, nëpërmjet mospërsëritjes së pësimeve dhe gabimeve.  
Është pohuar rëndom këto kohë se krerët e sotëm të demokracisë janë të detyruar, për efekte elektorale, tjetër të thonë e tjetër të bëjnë. Është presupozuar se ata në të vërtetë janë me shpirt e me mendje demokratë të kulluar, si kanë këmbët një këpucë e ashtu do të duhet të ecin pas avazit të elektoratit, i cili me gjasë, duke qenë “pa kulturë të mjaftueshme demokratike” nuk do t’i votojë po qe se ata nuk do të sillen si nacionalistë të ndërkryer, të gatshëm t’i marrin gjak në vetull “armikut” historik. Por edhe kjo doli e pavërtetë, një tezë që nuk qëndron. Sepse popujt nuk reaguan negativisht pas paqtimit të tyre. Kjo ishte superngjarje. Atëherë, kush e ka mbajtur të ndezur zjarrin e urrejtjes dhe përse kjo ndërhyrje diplomatike, kaq e kollajtë, nuk është realizuar më parë që të shmangeshin jo vetëm luftërat, por edhe prapambetja e vardëria, të cilat po i detyrojnë ballanikët, pas heqjes së vizave, të ikin refugjatë si sirianët, edhe pse nuk ka më luftë, genocid dhe spastrime etnike?
Se kancelaritë e Evropës dhe të SHBA-ve, ose nuk kanë dashur, ose nuk kanë ditur. Ndaj merita historike për këtë, padyshim, i takon zonjës Merkel.
***
Deri më sot është harxhuar shumë energji dhe janë dhënë fonde jo të pakta për të instaluar demokracinë, por rezultatet kanë qenë të mangëta. Pse jo disa herë edhe të dëmshme. Investimet kanë shkuar në drejtim të paditur sepse me to është mëkuar më së tepri korrupsioni se popujt, autokratët se demokracia, anarkia e vlerave se ekonomia e tregut… Pas 25 vjetësh të edhe falë këtyre investimeve të gabuara nuk ka më hendek, por humnerë mes të kamurve dhe të varfërve, të cilët jetojnë më keq e janë më të pambrojtur e më të kërcënuar nga pasiguria e varfëria, edhe pse iluzionet për mirëqenie, për barazi e vëllazëri kanë qënë më ndjellëse se kurrë. Kush janë përgjegjës për këtë mbrapshti: popujt, krerët apo ndërkombëtarët? Nga këto samite me buzëqeshje diplomatike të stisura, afërmendsh nuk do të priten në të ardhmen të dalin përgjegjësitë.  
Kësaj here hapur, nga të gjithë kryeministrat, përveç Ramës, që u soll si një ideolog e kujdestar përgjegjës për integrimin e Ballkanit (e ka marrë vetë këtë rol, apo ia kanë ngarkuar?) u kërkuan investime madhore në infrastrukturë, hapja e autostradave dhe ndërtimi  i hekurudhave që do të nxjerrin Serbinë në Adriatik, në Durrës (një ëndërr e vjetër kjo!), si dhe lidhja e Kroacisë (Evropës) me Greqinë, Azinë dhe Detin e Zi… Ndoshta takimi i gushtit në Vjenë do të japë një përgjigje më të saktë për këto projekte, të cilat do të realizohen, si po thuhet, aty nga vitet nga ‘30-të….
E megjithatë, askush nuk di të thotë: a do të mjaftojnë këto autostrada e linja hekurudhore për të transportuar mallra, apo harmoni e mirëqenie, dmth., për t’i afruar popujt e rajonit me njëri-tjetrin dhe me standardet e Evropës së Bashkuar? Sepse në të gjithë globin nuk gjen kaq shumë popuj të ndryshëm të ngujuar në një hapësirë kaq të vogël, por ama nuk gjen kurrkund qytetarë të tillë si ballkanikët që të mos e njohin njëri-tjetrin, fqinji fqinjin, jo vetëm historinë e folklorin, por edhe çatinë e oborrin ku jetojnë. Për këtë nuk mjaftojnë vetëm projektet për të komunikuar të rinjtë, por popujt. Jo vetëm mallrat, por edhe idetë. Madje edhe dashuritë dhe martesat, të cilat, edhe në këtë shekull vazhdohet të quhen tradhti kombëtare kur bëhen mes etnish, kombësish e fesh që janë konsideruar deri dje  armiq të betuar. Mjafton jeta dhe fati i aktorit Bekim Fehmiu që e provon këtë.  

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: