TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, pak minuta para ndjeshjes Shqipëri-Izrael ka siguruar të gjithë tifozët shqiptarë por edhe lojtarët e ekipit mik se situata në stadiumin “Elbasan Arena” është nën kontroll dhe plotësisht e qetë.

Pak minuta para nisjes së ndeshjes, Çako i cili ndodhej në stadium theksoi se është vetëm një ndeshje futbolli dhe të gjitha masat e forta të sigurisë janë marrë nga policia për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe parandalimin e çdo ngjarje të mundshme kriminale apo dhe akti terrorist.
“Çdo gjë ka qenë e qetë, masat korrekte, situata plotësisht e qetë”, – deklaroi Çako.

I pyetur për masat e forta dhe pretendimet për sulme të mundshme terroriste, Çako tha se ‘nuk është hera e parë që mediat, me keqardhje abuzojnë me të drejtën e tyre të improvizimit’ Situata nuk kalon përtej imagjinatës së gazetarëve”, tha ai.
Por është e paqartë çfarë ka dashur të thotë Çako me “të drejtën e improvizimit”, për shkak se ai e përmendi dy herë këtë term. Ndoshta Drejtori i Përgjithshëm i Policisë mund të ketë bërë një lapsus, që në vend t’i referohej “të drejtës së informimit”, i është referuar “të drejtës së improvizimit”. Ndoshta ai ka dashur t’i tërheqë vëmendjes medias për faktet e botuara lidhur me masat e forta të sigurisë që ka marrë policia. Por dilema se çfarë ka dashur të thotë Çako në fakt duhet sqaruar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë që çuditërisht ka përdorur një term jo të zakontë si “e drejta e improvizimit”. Gjithsesi vlen për t’u theksuar se media as ka fryrë dhe as ka minimizuar në pasqyrimin e masave të forta të sigurisë që Policia e Shtetit ka marrë si në Elbasan ashtu edhe në Tiranë. Por jo vetëm, kur mjafton të përmendim faktin se në Shkodër u arrestuan katër vetë të dyshuar si organizatorë të mundshëm të një akti terrorist ndaj ekipit të Izraelit. Megjithatë “e drejta e improvizimit” pritet të sqarohet në ditët në vijim nga Drejtori i Policisë.

Gjithsesi para ndeshjes Çako uroi ekipin kombëtar dhe falënderoi efektivët e policisë.
“Jam tifoz dhe sportdashës qoftë i futbollit dhe Kombëtares Shqiptare. Jam adhurues i Gjetan Gjetës. Shpresoj dhe uroj të gjithë futbollistët shqiptarë që të ngrohin zemrat e shqiptarëve. Uroj edhe policit e angazhuar për të siguruar mbarëvajtjen”, tha Çako.

Rreth 2000 policë janë të angazhuar për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe përcjelljen e ekipit të Izraelit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb