NGA DORJANA BEZAT

TIRANË- Katër të vrarë, pesë të plagosur dhe 4 atentate të dështuara, është bilanci i deritanishëm nga përplasja mes dy grupeve kriminale të Elton Çiços dhe Jani Alisë. Hakmarrja 16-vjeçare është zhvilluar jashtë dyerve të policisë pasi në kaq shumë ngjarje kriminale policia ka arrestuar vetëm 1 person për moskallëzim krimi.

Pas konflikteve që Çiço dhe Aliaj patën me njëri-tjetrin në shtetin helen, përplaset zhvendosen në Shqipëri në një sagë atentatesh dhe eliminimesh. Më 30 mars të 2015 Elton Çiços i grabisin dhe i dhunojnë prindërit në Tepelenë.

Policia identifikoi vetëm 2 prej grabitësve dhe i shpalli në kërkim. Robert Rama, një prej grabitësve i shpëtoi kërkimit policor por jo hakmarrjes së Çiços.

Më 4 maj 2015 ai u vra në një atentat në zonën e ish kënetës në Durrës. Policia tha se atentati u krye nga 2 persona me motor. Për këtë vrasje edhe sot nuk ka një autor. Policia shoqëroi Çiçon por nuk mundi të provojë fajësinë e tij. Po më 4 maj Elvis Imerit, autorit tjetër të grabitjes, iu vu një sasi eksplozivi e cila u pikas pa shpërthyer. Më 9 dhjetor tritol iu vu dhe vëllai të Elvisit, Elton Imerit, ish-ushtarak i cili mbeti i gjymtuar.

As për këto ngjarje policia nuk mundi të identifikojë autorët. Elvis Imeri vuajti dënimin për “Moskallëzim krimi” pasi ai i çoi grabitësit në shtëpinë e Çiços në Tepelenë, pasi kreu punime duralumini aty por nuk tregoi për policinë se kush ishin autorët. Të afërmit e tij bënë apel për ndihmë pasi Çiço e kërcënonte vazhdimisht që ai t’i tregonte emrat e personave që i dhunuan prindërit.

Më 10 janar të 2016-s te “Rruga e Kavajës” në shënjestër të plumbave u vu Jani Aliaj. Policia sërish nuk identifikoi dot atentatorin. Të njëjtit person iu bë atentat më 25 prill në Gjirokastër duke e plagos lehtë në dorë. Sërish asnjë arrestim.

Një javë më vonë, më 1 maj të 2016 vjen kundërpërgjigja e Jani Alisë. Në lokalin “De Niro” në Bllok vritet Elton Çiço.

Sipas policisë, autorët e kësaj vrasje janë Jani Aliaj dhe Renato Milloshi, të cilët janë edhe sot në kërkim. Burimet nga policia thonë së për atentatin, 2 të shpallurit në kërkim u ndihmuan nga Nelgert Pata të cilit iu bë atentat me 21 gusht te “Rruga e Kavajës”. Policia nuk identifikoi dot autorët dhe shpalli në kërkim të plagosurin pata.

Pas 3 muajsh arrati Nelgert Pata nuk gjendet nga policia, por nga atentatorët të cilët e ekzekutuan me 20 nëntor në Fier. Në sagën e përplasjeve mes grupeve është edhe atentati i 28 tetor të këtij viti ndaj Andi Mustafarajt mikut të Çiços, i cili mbeti i plagosur. Mustafaraj nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë dhe vijon aktivitetin e tij në Tiranë. Edhe për këtë rast policia nuk ka identifikuar autorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb