Hedhja në erë me 70 kg tritol e ‘Prestige Resort’ është pasur me reagime të shumta, duke e cilësuar qartësisht sulm ndaj medias News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

I ftuar në hapësirën e rubrikës ‘Opinion’ me gazetaren Ola Bruko, shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu, tha se Edi Rama nuk hodhi në erë ndërtesën, por ligjin dhe shtetin, ndërsa dëshmoi se nëse e bën këtë në mënyrë të paligjshme me një grup mediatik të fuqishëm, imagjinohet se çfarë bën me qytetarët.

Balliu tha se e gjithë kjo që ka ndodhur është një hakmarrje e Edi Ramës ndaj transparencës që ka  bërë grupi mediatik, duke zbuluar afera korruptive.

“Pamjet ishin të shëmtuara, jo vetëm për nga karakteri moral që shikoje urdhrin e një personi që ka ndenjur aty, ka bërë punë aty, dhe një personi që pak kohë më parë thoshte për ‘Prestige Resort’ ‘çfarë mrekullie, sa mirë që vijnë afganët këtu’. E hedh në erë vetëm e vetëm për një urrejtje personale. Së dyti është tmerrues fakti që një individ në Shqipëri, pa asnjë normë juridike mund të vijë dhe të hedhë në erë, biznesin, shtëpinë, pronën. E gjithë kjo bëhet për shkak të transparencës që keni bërë ju si media për aferat korruptive, transparencë që i shërben qytetarëve.

Normalisht Hysenbelliu do të marrë paratë e tij në gjykatë, siç ka ndodhur me ‘Agon Channel’, por kuptohet që ka një linjë, sulmohet çdo media që bën denoncim dhe zbulon afera. Shikoni sot sesa i dërrmuar është Rama sot, është falë transparencës së medias. Ai këtë panik që e ka zënë e shfaq në ato pamjet të trishta dy ditë para Samitit. Çon atje për të shembur ndërtesën banditë, kriminelë të certifikuar, me precedent. Pse i larguan mediat? Sepse ishin duke kryer një krim”, tha ai.

I pyetur se përse veprohet me dy standarde, ai tha: Sepse këtu nuk ka ligj, ky tritolin ia vuri gjykatës, shtetit… jo vetëm ‘Prestige Resort’. Kur i bëhet një media që është më e madhja sot në Shqipëri, po një qytetari të thjeshtë çfarë i bën? Si ka mundësi drejtori i IKMT si e ka marrë urdhrin pa një shkresë? Në telefon? Kush ta ka dhënë ty atë urdhër? Më jep një dokument! Ku e ke ti dokumentin që lajmëron biznesin 45 ditë para?! Këto janë në konventën e të drejtave të njeriut. Kjo është shkelje e rëndë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb