TIRANE- Edhe pse jemi në merkaton e janarit, te Tirana janë më tepër të përqendruar në sezonin e ardhshëm. Presidenti Refik Halili konfirmoi se do të nisë nga puna me rinovimet e lojtarëve, që do të jenë pjesë e ekipit për edicionin e ri. Krijimi i boshtit te bardheblutë do të nisë nga stafi teknik, me rikonfirmimin e trajnerit Ilir Daja. I emëruar më 28 tetor 2015, me kontratë deri në fund të sezonit, drejtuesi i stolit i ndryshoi fytyrën Tiranës. Në 10 javë të kampionatit, bardheblutë koleksionuan 5 fitore, 4 barazime dhe një humbje. Me tre gola të pësuar në dhjetë ndeshje, kryeqytetasit u kthyen në ekipin më të fortë në repartin difensiv. Një ecuri, që shihet si pikënisja e projektit të ri, për ta kthyer Tiranën pretendente.

“Shumë shpejt, ndoshta brenda një muaji, do të fillojmë të punojmë për atë që duam të mbajmë vitin e ardhshëm, për sa u takon atyre që u përfundon kontrata. Do ta nisim direkt me trajnerin Daja, ku do të nënshkruajmë një kontratë. Çfarëdolloj rezultatesh të ketë ekipi i Tiranës, ne do të nënshkruajmë kontratë për sezonin e ardhshëm 2016-2017”, – konfirmoi për “Supersport”, presidenti Halili. Por, fakti që do të nisë puna për sezonin e ardhshëm, nuk bën që Tirana të dorëzohet në kampionatin aktual. Me pozicionimin në vendin e katërt në renditje, bardheblutë luftojnë me Teutën e Kukësin, për objektivin minimal të edicionit: një biletë në Kupat e Europës.

“Për vetë rezultatet apo për pikët nga vendi i parë, duhet të punojmë për të kapur vendin e parë, në mënyrë që të kapim kupat e Europës. Kampionati është i gjatë, unë besoj. Nuk jam i lajthitur, por kam besim te grupi, se nëse do të jemi të kujdesshëm dhe do t’i marrim ndeshjet një nga një, do shikojmë që nuk do të jemi këtu ku jemi sot, por më lart, për vetë financimin dhe kontingjentin e futbollistëve që ka klubi”.

Fukui

Sulmuesi japonez i Tiranës ka lënë pas periudhën e parë rehabilituese pas dëmtimit të pësuar 10 ditë më parë. Masato Fukui ka nisur që të hënën stërvitjen i diferencuar nga grupi, duke treguar se është rikuperuar mjaft mirë në këtë periudhë. Futbollisti ka zhvilluar terapi intensive për të riaftësuar tërheqjen muskulare në kofshë, dhe shumë shpejt ai do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje. Fukui do të mungojë këtë fundjavë ndaj Flamurtarit, por pritet të jetë i gatshëm për takimin e fundjavës së ardhshme, ndeshje të cilën Tirana do ta luajë në Pukë përballë Tërbunit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: