TIRANË- Kandidati për kryebashkiak i opozitës, Halim Kosova është takuar sot me përfaqësues të bizneseve të vogla që kanë përfituar dhe e kanë nisur sipërmarrjen e tyre falë projektit të Bashkisë së Tiranës për ofrimin e garancisë, për kreditimin e tyre.

Kosova është angazhuar për të mbështetur iniciativa të tilla që krijojnë vende të reja pune. Sipas tij biznesi në vend po kalon një periudhë shumë të vështira dhe nisma të tilla lehtësuese e ndihmojnë shumë sipërmarrjen e vogël dhe të mesme.

“Punësimi mbetet kryefjala e çdo bisede. Kjo është iniciativë e bashkisë ku bizneset e reja, dhe gratë do të kenë një prioritet me informacionin që kam, do të kenë mundësi ta marrin këtë kredi dhe ta vendosin në shërbim të ideve, familjes dhe të tjerëve që do punësohen në këtë biznes”, tha Kosova.

Ndërsa Dritan Shano, koordinator i këtij takimi tha se në këto dy vite taksat janë rritur në mënyrë të vazhdueshme.

“Në të njëjtën rrjedhë dhe ritëm është rritur papunësia. Sikundër po e shohim që qytetarët shqiptarë po largohen në përmasa gjithnjë e më të mëdha nga vendi, shohim që qeveria, në vend që ta ndihmojë biznesin, e pengon atë. Shton rregullimin, shton ato kleçkat për ta kapur dhe për ta penguar në vend për ta ndihmuar atë, të paktën duke i eliminuar ato barriera biznesit”, u shpreh Shano.

Një nga përfituesit e këtij projekti vlerësoi iniciativën duke shtuar se e ndihmon konkretisht biznesin.

“Kjo iniciativë ishte perfekte dhe mund të them që unë dhe si shumë të tjerë që unë njoh, kur u them që kam përfituar nga ky fond, u duket e pabesueshme. Është e vetmja alternativë që unë mendoj se e ndihmon biznesin dhe që e ndihmon konkretisht”, tha ai.

Kandidati i PD-së për Bashkinë më të madhe në vend, tha se nisma të tilla do të mbështeten e do të shtrihen edhe më shumë.

“Çdo projekt që ka dhënë frytet e veta, që ato kanë qenë të prekshme si në drejtim të punësimit apo në sektorë të tjerë të qytetit, do të jenë prioritet për t’u shumëfishuar dhe për t’u vazhduar më tej”, tha Kosova.

Një nga të pranishmit shprehu besimin tek përvoja e z. Halim Kosova si administrator.

“Një gjë që na ka pëlqyer të gjithëve që kam kontaktuar, është ajo merita jote kur ishit Ministër Shëndetësie që u duk puna e vërtetë, e atyre që folët tani. Besimi tek ju është 100%”.

Kosova u shpreh se do të garantojë një qeverisje me standarde të Tiranës.

“Njëherë në 3 muaj të mblidhemi dhe të diskutojmë  së bashku çfarë problemesh ka. Ku ka ngecur puna? Ku duhet rregulluar? Çfarë problemesh burokratike ju kanë vonuar? Ku ju sorollatin më shumë? Vërtetë çdo punonjës bashkie është përkrah jush apo ka ndonjë që ju vendos gurë në rrota?! Që ju pengon, që ju sorollat, që ju vendos gjoba pse jo?! Me këtë lloj syri kritik ose bashkëpunimi ne do ta shikojmë punën tonë në bashkinë e ardhshme”, tha Kosova.

Kandidati për kryebashkiak deklaroi se Bashkia do të jetë gjithnjë e gatshme për të ofruar lehtësi e mbështetje për nismat e sipërmarrjet e qytetarëve.

“Ti japësh dorën atij që do të ecë në jetë më duket shumë e mirë dhe jam i sigurt që ky fond nuk do të jetë më 5 milionë por do të jetë shumë më tepër”, u shpreh Halim Kosova.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb