TIRANË- Kandidati për kreun e Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova, ishte sot në tregun e fruta-perimeve në “Qytetin e Nxënësve” ku është përballur me ankesat e tregtarëve për rënien e fuqisë blerëse. Kosova ka takuar gjithashtu qytetarë, të cilët i kanë pohuar se nuk kanë mundësi të blejnë për shkak të varfërisë.

Kosova i ftoi tregtarët dhe banorët e kësaj zone të bashkohen në projektin e tij për të krijuar vende pune, mirëqenie e zhvillim.

Kandidati i së djathtës i ka ofruar qytetarëve ndershmërinë dhe përvojën e tij. Ndërsa banorët kanë kërkuar punësim, si një prej problemeve më të mëdha.

“Unë kam tre çuna pa punë fare, me zanat e me të tëra. Vetëm këtë, po na dhe këtë, me gjithë shpirt”, i drejtohet Kosovës një nënë.

Dr. Kosova ka dëgjuar të gjithë ankesat e banorëve të pranishëm në takim, të cilat kanë qenë nga më të ndryshme.

“Më i rëndësishëm se rruga dhe gjithçka, po ta them siç e mendoj unë, është ekonomia në shtëpinë tënde brenda, se ti po e pate asfaltin, po pate shtylla e po pate lule në rrugë, por nuk ke asnjë në punë, po ishe në kulmin e varfërisë, nuk e shijon as rrugën, as poçin, asgjë”, tha Kosova.

Ai u ka shpjeguar qytetarëve projektin e tij për qeverisjen e qytetit. “Sot po shoh ku janë hallet e qytetit. Ideja ime është që t’i ndaj pjesë-pjesë, dhe të fillojmë me radhët zgjidhjen e tyre në çdo zonë. Unë kështu kam punuar gjithmonë”, premtoi Kosova.

Gjatë takimeve që kandidati i opozitës ka pasur me banorë të kryeqytetit dhe të fshatrave të Tiranës, ka marrë mbështetjen e tyre, duke vlerësuar idetë, integritetin dhe përvojën e tij menaxheriale.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: