TIRANE– Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua sot me tregtarët e tregut Çam dhe me fermerët e Kasharit, që ankohen për taksat e larta dhe faturat e rritura të energjisë. Gjatë bashkëbisedimit me ta, Kosova është njohur me shqetësimet e tyre të përditshme, pasi këta tregtarë po vuajnë rënien e fuqisë blerëse.

“Vazhdon prapë historia e mbifaturimit të korrentit mbi biznesin. Po e mori Erjon Veliaj do t’i rrisë çmimet e taksat, si Edi Rama. Tani shpresojmë të jesh ti në krye”, u shpreh një tregtar.

Sipas kandidatit për Tiranën, Halim Kosova, sa më shumë fitim t’u mbetet këtyre tregtarëve të vegjël, aq më shumë mundësi do të kenë ata të zgjerohen e të krijojnë vende pune.

“Sa më shumë lekë të kesh në xhep aq më shumë do mendosh të përmirësosh gjërat, për të marrë ndonjë njeri në punë. Gjithë çelësi aty është”, tha Kosova.

Duke dëgjuar ankesat e fermerëve të Kasharit të cilët ankohen për taksat e larta, kandidati Kosova tha se ai do të angazhohet që mundësitë e fermerëve të shtohen, çka do të ndihmojë në rritjen e tyre nga ku do të përfitojnë gjithë qytetarët.

“Ky prodhim i shkëlqyer që ti dhe shumë të tjerë përreth bëni, si t’ju shkoj në treg me qëllim që të justifikojë djersën tënde por edhe mos rëndojë qytetarët. Të justifikohet djersa juaj familjarisht. Qëllimi im nuk është që ty të të justifikohet, që ti të rish gjithë ditën në diell për të larë ato që ti ke investuar. Problemi është që ty të të ngelen sa më shumë lekë sepse sa më shumë lekë do të thotë më shumë mekanizim, më shumë zgjerim, më shumë mundësi për qytetin”, tha Kosova.

Kandidati për kryebashkiak, gjatë takimeve në Kashar u takua edhe me disa vizitorë italianë pranë liqenit në fshatin Kus, destinacion që me vëmendjen e bashkisë do të kthehet në atraksion të mirëfilltë turistik.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb