TIRANË- Nënkryetari i Parlamentit Vangjel Dule ka drejtuar sot seancën plenare pasi Kryetarii Kuvendit, Ilir Meta, ka nisur një tur takimesh zyrtare në Zvicër, që pritet të përfundojnë sot. Deputeti i PD-së Eduard Halimi ka kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit për ti hapur rrugë hetimit të pavarur dhe të paanshëm. Halimi tha se në vend sundon mafia dhe jo ligji. Akuzave të opozitës iu është përgjigjur deputeti socialist Taulant Balla, i cili tha se Berisha dhe Basha nuk kanë asnjë të drejtë morale për të kërkuar llogari pas të dy janë vetë të akuzuar. “Sot Berisha ndoti shkallën e parlamentit me deklaratat e tij të sëmura që nuk kanë asnjë vlerë për asnjë qytetar. Sot me urdhër të Lulzim Bashës, çerdhet janë mbyllur, pasi edukatoret e çerdheve duhet të ishin në protestë”, tha Balla.Parlamenti ka miratuar me 73 vota pr/ligji për formulën e privatizimit të INSIG.

Po kështu është miratuar me 75 vota pr/ligji “Për shërbimin e jashtëm të Shqipërisë. Neni 27 votohet sipas variantit të qeverisë, deputetja Arta Dade ka abstenuar. Neni 27 ka bëjë me heqjen e kuotave për emërimet në diplomaci. Dade ka abstenuar edhe nenin 31 të shërbimit të jashtëm. Ky nen është për kompetencën e Ministrit të Jashtëm për emërimet diplomatike. Parlamenti ka miratuar gjithashtu me 76 vota pro pr/ligjin “Për pagesat e vonuara tregtare”. Në seancë është miratuar titulli ekzekutiv për faturat e energjisë dhe me 73 vota pro marrëveshja stabilizim-asociim.

BALLA: PROTESTUESI LUL DHE PROTESTUESI SALI NUK KANË TË DREJTË TË KËRKOJË LLOGARI. BASHA I AKUZUAR PËR TRADHTI KOMBËTARE, BERISHA PËR GJENOCID

Balla: Opozita vijon me telenovelat. Rruga e Shqipërisë për në BE nuk mund të ndërpritet as nga Berisha, as nga Luli, as nga Aldo. S’mund të rri pa folur dy fjalë për protestën që sapo mbaroi. Respektojmë çdo protestues përveç, protestuesit Sali dhe protestuesin Lul, nuk kanë asnjë të drejtë morale. Sot Berisha ndoti shkallën e parlamentit me deklaratat e tij të sëmura që nuk kanë asnjë vlerë për asnjë qytetar. Sot me urdhër të Lulzim Bashës, çerdhet janë mbyllur, pasi edukatoret e çerdheve duhet të ishin në protestë. Identik si kur ishte Saliu. Ja pse Luli dhe Saliu janë njëlloj. Ka vetëm dy njerëz në Shqipëri që nuk kanë të drejtë të kërkojnë llogari. Basha është i akuzuar për vjedhje dhe përgjegjës për vrasjen e 4 qytetarëve në bulevard. Lulzim Basha është i akuzuar për tradhti kombëtare. I Vetmi në Shqipëri është Lulzim Basha. Babai i tij, Sali Berisha i akuzuar për gjenocid, për zhytjen e vendit në vëllavrasje në 97, për Gërdecin dhe për çdo të keqe në këtë vend. Berisha e ka marrë përgjigjen dhe Basha do ta marrë më 21 qershor. I kam thënë dhe e kam akuzuar Sali Berishën si frymëzuesin e bombave me tritol. Dy ditë më parë u kapën në Fushë-Krujë 5 persona me tritol, në makinën e tritolit kishte flamurin e PD-së.

SHERBIMI I JASHTËM, BUSHATI: AFATI 30 DITOR NUK PREK KOMPETENCAT E PRESIDENTIT

Gjatë diksutimit të pr/ligjit “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se ndryshimi që ka të bëjë me afatin 30-ditor që i caktohet Presidentit për tu shprehur për një ambasador nuk prek kompetencat e Presidentit. Ndërsa deputetja Arta Dade, Kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme nuk i ka kursyer as në seancë plenare kririkat për pr/ligjin e shërbimit të jashtëm, duke theksuar se neni 27 pika 2 e këtij ligji, që flet për përzgjedhjen e kreut të misionit diplomatik dhe postit konsullor, lë vend për abuzivizëm.

Dade: Ky ligj mori gjithë kohën e vet dhe disktutimet dhe debatet që në ndonjë rast u bënë edhe të nxehta kanë të bëjnë me shqetësimin dhe angazhimin serioz të kësaj mazhorance për ta ngritur diplomacinë në parametrat e standardet europiane. Komisioni ka shprehur shqetësimin se neni 27 pika 2 e bën diplomacinë vunerabël ndaj politikes…jo se paragjykojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme, por ligjet s’bëhen për 2­-3 vjet, por për afat më të gjatë. Në raste të veçanta kur mund të gjenden subjektivizma për emërime..shërbimi i jashtëm duhet mbrojtur nga çdo tentativë për t’u kthyer në një shërbim politik. Ligji s’duhet të jetë kompensim për shërbime ndaj forcave politike që drejtojnë shtetin në një moment të caktuar. Ligji për shërbimin e jashtëm duhet çliruar nga kufizimet e politikës nga mungesa e profesionalizmit e integritetit, neni 27 lë hapësira për abuzivizëm, pra ligjet hartohen jo për 2 dhe 3 vjet. Shpresojmë që qeveria ti japë vendit një diplomaci në shërbim të interesave të vendit dhe të kombit.

Sipas projektligjit, kandidaturat për kreun e misionit diplomatik dhe postit konsullor, shqyrtohen nga një komision i posaçëm, i cili i propozon ministrit të Punëve të Jashtme kandidaturën më të përshtatshme. Komisioni i posaçëm emërohet nga ministri i Punëve të Jashtme dhe përbëhet nga pesë anëtarë. Ai drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dheShërbimi i jashtëm duhet ruajtur dhe mbrojtur.

Bushati: Një afat 30 ditor, nuk prek aspak kompetencen e presidentit të republikës në drejtim të kandidaturës së propozuar nga kryeministri, ky afat aplikohet edhe për funksione kushtetuese që emërohen nga Presidentiti i Republikës.

Ora 10:33- Deputetët e opozitës braktisin seancën plenare për tju bashkuar protestuesve që vijojnë thirrjet e tyre për dorëheqjen e Metës.

Halimi- Deputeti i PD-së Eduard Halimi ka marrë fjalën i pari nga opozita duke kërkuar sërish dorëheqjen e Metës për ti hapur rrugë hetimit mbi akuzat për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Halimi tha se në parlament kanë shpërthyer akuza të rënda të cilat duhet të hetohen.

“Kryetari në ikje i është fshehur qytetarëve. Opozita dhe qytetarët kërkojnë largimin e kreut të kuvendit për ti hapur rrugë hetimit. Prokuroria të hetojë e pavarur. Nuk mund të jetojmë në varfëri dhe dhunë. Skemë kriminale për të vrarë dy deputetë. Si kurrë më parë në aulën e parlamentit kanë shpërthyer akuza të rëndë që vijnë drejtpërdrejt nga deputeti që ishte në qendër të këtij plani. Tritoli erdhi nga lagjja në aulën e parlamentit në një skenar ogurzi. Prej më shumë se 1 viti e gjysmë qytetarët shohin drejtorë policie të lidhur me krimin. Që qytetarët të jenë të qetë duhet të shohin se funksionon ligji. Rama thotë se hetoj vetë dhe nuk ka nevojë ta hetojë prokuroria. Heton kreu i PS-së për Tiranën. Kjo nuk do të thotë të sundojë ligji dhe kushtetuta por të sundojë mafia. Ky nuk është shtet ligjor, është sundim i mafias. Çfarë ndryshimi ka mes Bamit dhe Gjokonës që shkonte në çdo komisariat për të dëshmuar? I njëjti skenar që e rrëfen një prej njerëzve që është nën akuzë. Të fshehim krimin se mos na e merr vesh opozita, të fshehim krimin se na dëgjon populli. Kështu bëtë edhe me Kostandin Xhuvanin. Kur trafikantët ju ikin nga Rinasi dhe Kakavija, policia jo vetëm që nuk i ndalon por e fshihni edhe nga opozita. E liga që po vjen nga oligarkia në pushtet po shpërndahet në gjithë vendin. Sot në mëngjes DASH e cilësoi Shqipërinë si vendin kryesor të trafikut të drogës, por ju sërish e fshehët. DASH po thotë po atë se Shqipëria po shndërrohet Kolumbi e Europës. Por opozita nuk do ju lejojë. Fjalën sot e ka populli. Të japë dorëheqjen kreu i kuvendit siç e kërkojnë ndërkombëtarët. Ne me gjithë qytetarët do të jemi, kundër krimit  dhe bandave. Vetëm dorëheqja e kreut të kuvendit do të sjellë një hetim të pavarur dhe të paanshëm. Vetëm hetimi i pavarur do të sjellë një parlament normal. Pesha e krimit nuk mund të rëndojë më në shpatullat e qytetarëve”, tha Halimi.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb