Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti deklaroi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte këshilluar nga ekspertë dhe avokatë të njohur që të mos e padiste Serbinë për gjenocid sepse nuk mund të fitonte Kosova.

“Pas luftës realisht nuk po du me thënë kush çka ka thënë dhe çka ka kërkuar, por unë jam njëri nga ata që kam insistuar që secili që është dëmtuar nga lufta ta bëjë dosjen personale për dëmet që ia ka shkaktuar Serbia. Atëherë Qeveria e përkohshme pati autorizuar një grup avokatësh për ta bërë dosjen për ta paditur Serbinë për gjenocid. Kanë qenë edhe disa grupe nga OJQ. Por dosjet që lidhen me të gjithë nuk dhezin. Nëse do të ishin mbledh dosjet individuale argumentet do të ishin më të shumta. Kosova nuk është anëtare e OKB, së dyti e kemi rasti e Bosnje Hercegovinës dhe nuk ka fituar sepse në mekanizmat e OKB dhe Gjykatave ndërkombëtarë, këto gjykata janë edhe politike. Unë mendoj që, më kujtohet edhe z. Thaçi e ka pasur një iniciativë për të bërë një padi të tillë, më duket se është këshilluar nga ekspertë të fushës dhe specialist që na kanë këshilluar që të mos shkohet më tutje sepse është vështirë me fitu”, tha Haliti në ATV.

Ai tha se fitorja më e madhe e Kosovës është fitorja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila konfirmoi të drejtën për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Çdo njeri në Kosovë do të donte ta bënim këtë akuzë dhe ta fitonim. Fitorja më e madhe është konferenca e Rambujesë, marrëveshjet e Vjenës por mbi të gjitha fitorja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Haliti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb