Grupet palestineze dënuan marrëveshjen e re midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit për të normalizuar marrëdhëniet.

Lëvizja Hamas dënoi marrëveshjen, duke thënë se ajo nuk bën asgjë për t’i shërbyer kauzës palestineze dhe injoron të drejtat e popullit palestinez.

Marrëveshja e paqes e EBA-së me Izraelin është një “goditje e pabesë në shpinën e popullit palestinez”, tha Hamas në një deklaratë.

Ndërkaq, lëvizja Fatah tha gjithashtu se me këtë marrëveshje, Abu Dhabi po heq dorë nga detyrat e tij kombëtare, fetare dhe njerëzore ndaj çështjes palestineze.

Nga ana tjetër, Komitetet e Rezistencës Popullore (PRC) theksuan se marrëveshja tregon një komplot të gjerë kundër popullit palestinez.

Gjithashtu, Lëvizja Xhihadi Islam kritikoi marrëveshjen e re, duke e krahasuar atë me “dorëzim”.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump sot njoftoi se EBA dhe Izraeli kanë arritur marrëveshje për “normalizim të plotë” të marrëdhënieve.

Ndërkaq, në një deklaratë të përbashkët nga SHBA, EBA dhe Izraeli, thuhet se ky përparim do të promovojë “paqen në rajonin e Lindjes së Mesme dhe është një dëshmi e diplomacisë dhe vizionit të guximshëm të tre liderëve”, duke iu referuar princit të kurorës së Abu Dhabit Mohamed bin Zayed al-Nahyan, presidentit amerikan Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Si pjesë e marrëveshjes, Izraeli do të “pezullojë” planet për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar “dhe do të përqendrojë përpjekjet e tij në zgjerimin e lidhjeve me vendet e tjera në botën arabe dhe muslimane”, thuhet në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë të sigurt se përparime shtesë diplomatike me kombet e tjera janë të mundshme dhe do të punojnë së bashku për të arritur këtë qëllim”, theksohet më tej.

Siç bëhet e ditur, në javët në vijim, zyrtarët e dy vendeve do të takohen për të firmosur marrëveshje dypalëshe në fushën e investimeve, turizmit, kulturës, fluturimeve direkte, sigurisë, telekomunikacionit, teknologjisë, energjisë, shëndetësisë, mjedisit, si dhe për hapjen e përfaqësive diplomatike.

Ndryshe, EBA bëhet vendi i tretë arab që firmos marrëveshje paqeje me Izraelin pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë në vitin 1994.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb