Grupi palestinez i rezistencës Hamas paralajmëroi Izraelin kundër vazhdimit të përshkallëzimit të saj ushtarak në Rripin e Gazës.

“Përshkallëzimi i Izraelit në Gaza, bombardimi i pozicioneve të rezistencës dhe shkeljet kundër Kudsit dhe Xhamisë Al-Aksa janë pjesë e politikave të tij agresive ndaj popullit tonë”, tha zëdhënësi i Hamasit Fawzi Barhoum në një deklaratë.

Paralajmërimi erdhi disa orë pasi Izraeli goditi disa pozicione të Hamasit në Gaza pas zjarrit me raketa nga territori palestinez.

Barhoum e konsideroi Izraelin përgjegjës për pasojat e atyre që ai i përshkroi si “provokime raciste” nga ushtarët dhe kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Kuds dhe Xhaminë Al-Aksa.

“Të gjitha këto krime dhe shkelje nuk do të na pengojnë të vazhdojmë të gjitha format e luftës për të mbrojtur Kudsin dhe Xhaminë Al-Aksa”, tha ai, duke vazhduar t’i bëje thirrje Ligës Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe kombeve muslimane që të mbajnë mbi supet e tyre përgjegjësitë për mbrojtjen e popullit palestinez.

Tensionet kanë qenë të larta në ditët e fundit në përplasjet midis palestinezëve dhe forcave izraelite dhe kolonëve në Kuds.

Disa grupe ekstremiste hebreje kanë bërë thirrje për të sulmuar palestinezët në përgjigje të asaj që ata i pretendojnë si sulme palestineze kundër izraelitëve në qytet/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb