Lëvizja palestineze Hamas fajësoi Izraelin për përshkallëzimin e fundit ushtarak në Rripin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Avionët luftarakë izraelitë të premten goditën objektivat ushtarake që i përkisnin krahut të armatosur të Hamasit dhe dy varka që i përkisnin policisë detare.

Ushtria izraelite tha se sulmet ishin kundërpërgjigje ndaj “një përpjekjeje infiltrimi”.

“Bombardimet izraelite pasqyrojnë gjendjen e konfuzionit në Izrael rreth dështimit të tij për të menaxhuar demonstratat”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Fevzi Barhum.

Tensionet përgjatë kufirit me Gazën janë rritur gjatë tubimeve të palestinezëve që kërkojnë kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.

Të paktën 46 palestinezë janë vrarë dhe mijëra janë plagosur nga të shtënat e Izraelit që nga fillimi i demonstratave në fund të marsit nën moton “Marshi i Kthimit të Madh”.

“Njerëzit tanë do të vazhdojnë të avancojnë derisa të arrihen qëllimet e tyre”, tha Barhum.

“Përshkallëzimi i armikut nuk do të bëjë asgjë, por do t’i bëjë ata (demonstruesit) më të fortë”, shtoi ai.

Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë-javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: