Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantuan sot projektin e “Parkut të Artit” në Kinostudio, një projekt për rijetëzimin e gjithë zonës përreth.

Kryebashkiaku, duke bërë një krahasim me situatën aktuale të pandemisë, tha se arti nuk mund të lihet pas sepse është “vaksinë për shpirtin” dhe se Bashkia Tiranë do të ketë gjithmonë në fokus krijimin e sa më shumë hapësirave për artistët. Ai shtoi se ky projekt do i rrisë vlerën pronës në këtë zonë dhe do jetë një tjetër qendër e rëndësishme në kryeqytet.

“Shfrytëzimi me zgjuarsi i kësaj hapësire, do të rrisë vlerën e pronës, edhe të vlerës së aseteve në ministri, sigurisht edhe të komunitetit. Në një Tiranë që rritet me 25-30 mijë vetë në vit, nuk e kemi luksin të kemi vetëm një qendër”, theksoi Veliaj.

Ai sqaroi se nga një zonë e zaptuar, e gjithë hapësira e Parkut të Artit dhe përreth tij, do të transformohet. Madje në zonë do të bëhet edhe një rrethrrotullim, për të lehtësuar lëvizjen e makinave.
“Do të bëhen të gjitha ndërhyrjet fizike dhe pastrimi i territorit, do të ndërhyhet edhe për lëvizjen dhe mobilitetin në të gjithë këtë terren të zaptuar. Në anën tjetër, jemi duke investuar në rrjetin e Ujësjellësit, për t’u siguruar që nuk hapim më kanale, ujëra të bardha, të zeza, gjatë kohës që mbaron ky projekt. Do ndërtohet një rreth-rrotullim, që disiplinon gjithë trafikun në zonë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se edhe në lagjet e reja do të ketë hapësira që do i dedikohen vetëm artit dhe kulturës shqiptare, duke sjellë në vëmendje lagjen e re të Kombinatit, që jo më kot do të quhet “KombinArt”.

“Disa fakultete, sidomos ato të Arteve kreative, do të transferohen në Kombinat. Kjo është arsyeja pse kemi planifikuar hapësira për galeri e për muze, sepse unë besoj fort që do prodhojnë ekonomi. Diçka të ngjashme kemi planifikuar edhe brenda njësisë 4 ku jemi sot, tek Bregu i Lumit, në lagjen e re 5 Maji”, nënvizoi ai.

Ministrja e Kulturës tha se falë bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, për të gjithë pjesën e masterplanit, që nuk është vetëm Parku i Artit, po i të gjithë zonës rreth e përqark, do ta bëjë zonën një pol të ri kulturor.

“Godina që kemi gjetur këtu nuk ishte Ministria e Kulturës. Ishte një godinë shumë e bukur, por e rrënuar, e braktisur. Sot është kthyer në një monument kulture. Parku i Artit do të jetë një park për komunitetin, jo vetëm një park për artistët, ose një hapësirë rreth Ministrisë së Kulturës. Duam të shohim një institucion e disa godina pa gardhe”, u shpreh ministrja.

Parku i Artit, do të shndërrojë hapësirën publike rreth Kinostudios në shërbim të artit dhe komunitetit, duke i dhënë zonës një zhvillim të madh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb