Shqipëria do të prodhojë energji elektrike edhe nga era përmes ndërtimit të parqeve eolike, duke vijuar kështu me diversifikimin e burimeve të energjisë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama, ambasadorit zviceran në Tiranë, Adrian Maître, si dhe përfaqësues të BERZH, njoftoi hapjen e ankandeve duke ftuar investitorët për t’u bërë pjesë e garës.

Ministrja Balluku, në fjalën e saj, bëri të ditur detaje sa i takon këtij ankandi, teksa sqaroi se ashtu sikundër edhe në rastin e ankandeve fotovoltaike, edhe për ato eolike procesi do të jetë i ndarë në dy faza, ku faza e parë do të jetë vlerësimi dhe verifikimi i kompanive të cilat do të marrin pjesë në garë duke nisur nga eksperienca teknike apo burimet financiare, për të vijuar më tej me fazën e dytë, e cila është vlerësimi i ofertave që do të paraqiten.

“Ankandi t’i japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte të cilat kanë kapacitet minimal 10 megavat dhe kapacitet maksimal 75 megavat. Në total çmimi i parafiksuar, përsa i përket këtij ankandi, do të drejtohet për 100 megavat në total të cilat do të blihen nga Republika e Shqipërisë për konsum dhe normalisht ky çmim do të jetë 75 euro tavani për megavat dhe ashtu siç kemi bërë edhe në ankandet e mëparshme ne i japim mundësi të gjitha kompanive konkurruese që të ofertojnë çmimin më të ulët. Por, sigurisht përveç çmimit më të ulët ne do të kemi dy faza përsa i përket vlerësimit të këtij ankandi”, sqaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi gjithashtu se i gjithë procesi është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me SECO, duke falënderuar për mbështetjen e dhënë ambasadorin zviceran në vendin tonë, si dhe BERZH.

“Ne kemi zhvilluar një studim të mirëfilltë, i cili sot do të vendoset në dispozicion të të gjitha kompanive të cilat do të duan të investojnë në sektorin e energjisë eolike dhe do të marrin pjesë në këtë ankand. Ky studim jep në mënyrë të qartë të gjitha zonat e mbrojtura në të cilat nuk mund të ndërtohen parqet eolike. Jep zonat të cilat kanë fizibilitetin më të lartë për prodhimin eolik në vend, dhe dua të theksoj që këto zona janë mbi 20% e territorit shqiptar, duke i dhënë kështu mundësi përzgjedhje në të gjitha rajonet e vendit tonë, qofshin këto në veri, apo në jug dhe sigurisht ato nisin nga një lartësi mbi 150 metra mbi nivelin e detit”, u shpreh Balluku.

Fakti që ky ankand mbështetet mbi një studim të mirëfilltë dhe fakti që të gjithë investitorët të kenë mundësi t’i zgjedhin dhe t’i përzgjedhin këto zonat, shtoi Balluku, do t’ju jap atyre indicie se ku ky investim do të ishte më i favorshëm, si për ta edhe për çmimin që do të ofrojnë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb