NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Hapet gara për përzgjedhjen e 8 drejtorëve të rinj në gjimnazet e kryeqytetit. Nëpërmjet një vendimi të drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, Arjola Byzyka, i cili është firmosur në datën 2.10.2015, janë hapur vende të lira pune për pozicionin e drejtorit të institucionit të arsimit parauniversitar për këto gjimnaze: “Sami Frashëri”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Myslym Keta”, “Besnik Sykja”, “Sinan Tafaj”, “Arben Broci”, “Eqerem Çabej” dhe “Aleks Buda”.

Edhe vitin e shkuar, në të njëjtën periudhë kohe, DAR Tiranë hapi konkursin për drejtorët e 13 gjimnazeve, por në këto 8 gjimnaze gara u anulua, pasi u paraqit vetëm nga një kandidat. Po ashtu, në vendim janë përcaktuar edhe kriteret e veçanta si dhe dokumentacioni që duhet të paraqesin kandidatët deri në datën 12 tetor, ora 16:30, pranë DAR Tiranë. Kandidatët duhet të kenë diplomë të nivelit të dytë në edukim, ose diplomë të sistemit 4-vjeçar, e cila është e njëvlershme me masterin shkencor, si dhe të kenë kategorinë “Mësues i kualifikuar”. Sipas Drejtorisë Arsimore, faza e parë e konkurrimit do të bëhet në datën 14 tetor.

VENDIMI & KRITERET
“Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë, në zbatim të Ligjit Nr.69, ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’, të VKM Nr.66, ‘Për riorganizimin e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore’, shpall konkursin për vendet e lira në pozicioni: Drejtor i Institucionit Arsimor Publik”, thuhet në vendimin e DAR Tiranë. Sipas këtij vendimi, kandidatët për drejtorë të institucionit publik të arsimit parauniversitar duhet të plotësojnë disa kritere për t’u bërë pjesë e garës së përzgjedhjes së 8 drejtorëve të gjimnazeve të Tiranës.

Pika e parë që duhet të plotësojnë të gjithë kandidatët që do të përfshihen në këtë garë është: Të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlefshme me të, duhet të dorëzojë fotokopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave të shkollës së lartë; Të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” (fotokopje e noterizuar e dëshmisë së kualifikimit); Të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij (nëse nuk ka, e deklaron me shkrim që nuk ka);

DOKUMENTACIONI & AFATET
Të gjithë arsimtarët që do të bëhen pjesë e kësaj gare, kanë afat deri në datën 12 tetor për të dorëzuar dokumentet përkatëse. “Dorëzimi i dokumentacionit të aplikantit do të bëhet pranë Sekretarisë së Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, çdo ditë, nga e hëna në të enjte, nga ora 08:00- 16:30, dhe ditën e premte nga ora 08:00-14:00. Afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit është data 12 tetor 2015, ora 16:30”, shkruhet në vendimin e DAR Tiranë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: