Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi rregulloren me kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve jogjyqtarë te Gjykatës së Lartë, pra atyre që garojnë nga jashtë radhëve të sistemit gjyqësor.

Gjykata e Lartë duhet të funksionojë me 19 anëtarë dhe sipas ligjit, një e pesta e trupës përbëhet nga anëtarët jo-gjyqtarë.

Tri janë shtyllat kryesore, ku do të bazohet këshilli për të renditur kandidatët jogjyqtarë; meritat profesionale, meritat morale dhe etike, si dhe ato organizative e menaxheriale.

Rregullorja parashikon që kandidatët duhet të kenë të paktën 15 vite karrierë si juristë të spikatur, të vlerësohen pozitivisht për paanësi dhe përgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës.

Gjatë vlerësimi, qeveria e gjyqësorit do të marrë në konsideratë gradat shkencore që zotërojnë kandidatët apo performancat që kanë patur në detyrat e mëparshme.

Pas miratimit të rregullores dhe botimit të saj në fletoren zyrtare, javën e ardhme këshilli pritet të shpallë zyrtarisht garën.

Ky është hapi i parë që institucioni kyc i reformës, ndërmerr për të vënë në funksion Gjykatën e Lartë, e cila është në kolaps prej kohësh, pasi ka mbetur me vetëm dy anëtarë, Xhezair Zaganjorin dhe Ardian Dvoranin, përderisa të tjerët nuk e kaluan me sukses testin e vettingut.

Megjithatë, kjo është e pamjaftueshme, për të patur një gjykatë të lartë funksionale, përsda kohë që këshilli ende nuk ka miratuar rregulloren për anëtarët që garojnë nga radhët e gjyqësorit. Vonesa në vënien në funksion të gjykatës, ka bërë që numri i cështjeve të kalojë 32 mijë të tillë dhe ka mes tyre që u rrezikohen afatet. për këtë shka, misioni i asistencës ka rekomanduar caktimin e përkohshëm apo delegimin e gjyqtarëve.

Përsa kohë që ky opinion nuk gjeti përkrahjen e të gjithë anëtarëve të këshillit, bëri që qeveria e gjyqësorit të nxitojë për të miratuar rregulloren, me qëllim dërgimin e të paktën katër anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë.

Miratimit të rregullores i parapriu një debat i fortë mes anëtarëve të Këshillit të Lartë gjyqësor dhe gazetarëve. Mediat refuzuan të dilnin nga salla, me argumentin se ligji parashikon që mbledhjet duhjet të zhvillohen të hapura. Këshilli vendosi ta shqyrtonte këtë cështje dhe në fund u dorëzua duke lejuar që gazetarët të ndiqnin nga afër diksutimet.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb