Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar hapjen e kantierit të ndërtimit të Urës së Tapizës.

Kjo urë u dëmtua nga tërmeti i 2019, teksa Balluku ka theksuar se pikërisht kjo e bëri me emergjente ndërhyrjen ndërsa  pritet që ndërtimi të mbarojë për 3 muaj.

Puna ka nisur me ndërtimin e një bypass-i, i cili do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve në kohën që do të realizohen punimet dhe shumë shpejt do të nisë puna fillimisht me shembjen e urës së vjetër.

Drejtori Verdho bëri të ditur se kjo urë përballon një fluks prej afro 50 mijë automjetesh në ditë, ndërsa theksoi se janë marrë të gjitha masat që gjatë kohës, që do të realizohen punime të mos krijohet asnjë problematikë sa i takon trafikut të automjeteve.

“Angazhimi ynë është që për 3 muaj t’a mbarojmë urën e Tapizës. Ura është 120 metra e gjatë, me 3 hapësira drite nga 40 metra, me një gjerësi 13.2 metra, ku ka një karexhatë me dy korsi nga 3.75 metra. Kemi pjesën e brezit të asfaltuar dhe trotuarit që është 1.35 m për kalimin e këmbësorëve”, u shpreh Verdho.

Aktualisht, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka në administrim në të gjithë vendin 652 ura, nga të cilat gjatë inspektimit të realizuar sa i takon gjendjes në të cilën ato ndodheshin rezultuan me probleme 30 prej tyre.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Instituti i Ndërtimit në një bashkëpunim shumë të mire, që kemi pasur gjatë dy viteve të fundit, kemi arritur që të skanojmë të gjithë situatën e urave në Republikën e Shqipërisë, të cilat për të thënë të drejtën nw shumicën e tyre janë ndërtuar para 50 viteve. Deri më sot mirëmbajtja e tyre ka konsistuar në një mirëmbajtje rutinë, pa pasur investime serioze. Por me kalimin e kohës amortizimi i tyre wshtw rritur edhe për shkak të përdorimit të madh dhe nga skanimin ka rezultuar se rreth 30 ura janë konsideruar si të rrezikshme. Ne kemi marrë menjëherë masat dhe këto ura ose janë bllokuar, ose janë në fazë rikonstruksioni, ose ne do të nisim punën në ato kantiere”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Lidhur me situatën në vend, ku ditwt e fundit janë regjistruar reshje të dendura, ministrja Balluku bëri të ditur se të gjitha grupet e punës ndodhen në terren për të garantuar që të gjitha akset rrugore të jenë të kalueshme.

“Të gjitha skuadrat tona të mirëmbajtjes ndodhen në terren në këto momente dhe kanë ndërhyrë duke bërë të kalueshme pothuajse të gjitha akset. Mund të ketë ndonjë problematikë të vogël në këto momente, për shkak të rrëshqitjeve momentale që ndodhin. Ne parashikojmë që edhe gjatë ditës së nesërme të kemi po të njëjtat problematika, për shkak të reshjeve dhe ndërkohë ditën e diel presim që moti të kthjellohet, por temperatura do të shkojnë deri në minus 15 gradë. Kështu që u bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve, si gjatë këtyre dy ditëve, ashtu dhe gjatë ditës së diel, ku temperaturat do të ulen shumë, të tregohen të kujdesshëm”, theksoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ftoi qytetarët që të informohen vazhdimisht sa i takon situatës në rrugët e vendit, ndërkohë që grupet e punës do të vijojnë të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment që do të shfaqen problematika.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb