TIRANË- Në Akademinë e Forcave të Armatosura u hap sot Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM). Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, pedagogë të AFA-së etj.

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë kurs, theksoi se është nder t’ju kemi pjesëtarë të KLSM dhe jam e sigurt se edhe kontributi juaj do të jetë i pazëvendësueshëm në arritjen e objektivave të kursit. “Angazhimi i juaj dhe perspektivat unike që do të ofroni, në gjithë çështjet që do të trajtohen, do të ndihmojnë në procesin akademik, në vlerësimin real të problemeve të sigurisë dhe mënyrat e adresimit të tyre, si dhe në kuptimin e qartë të nevojave që koha shtron për Forcat e Armatosura”, tha Kodheli.

Më tej Ministrja e Mbrojtjes shtoi se “Duke parë numrin e shteteve që kanë dërguar pjesëmarrës në Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, mendoj progresin, por njëkohësisht sfidën për stafin në përmbushje të prioritetit tonë për cilësi të lartë, programe gjithëpërfshirëse dhe metodologji bashkëkohore në arsimimin ushtarak”.

Duke përfituar nga ky rast, Kodheli kërkoi që Akademia e Forcave të Armatosura të vazhdojë përpjekjet dhe të reflektojë për rolin e saj, si dhe të shfrytëzojë jo vetëm këtë kurs, por edhe gjithë kurset e tjera, për përmirësimin e programeve dhe modernizimin e metodologjisë dhe për të aplikuar mësimet e nxjerra për të rritur nivelin e formimit të lidershipit të ardhshëm të FA.

Në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes që sapo ka startuar marrin pjesë 15 ushtarakë të lartë nga FA të Shqipërisë, Kosovës, Gjermanisë, Italisë, Turqisë, Greqisë, Gjeorgjisë, Maqedonisë, si dhe përfaqësues nga institucione në vartësi të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Drejtësisë, nga Presidenca etj. Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes do të përfundojë më 4 dhjetor 2015.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: