TIRANË- Tre vjet më parë nuk mendohej që Tirana mund të kishte këtë klimë solidariteti ndaj njerëzve në nevojë. Sot, falë politikave sociale të Bashkisë së Tiranës, çdokush në kryeqytet, pavarësisht mundësive ekonomike, e ka të sigurt një strehë dhe një vakt të ngrohtë. Pas rikonstruksionit të 3 mensave sociale ekzistuese dhe hapjes nga e para të tre të tjerave, kryeqytetit i është shtuar edhe një mensë e re në Njësinë 7.

Në çeljen e saj mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi, të cilët së bashku shërbyen drekën për të moshuarit dhe personat në vështirësi ekonomike të kësaj zone. Duke falenderuar Kryqin e Kuq për bashkëpunimin, kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo mensë do jetë një tjetër histori suksesi, e cila u vjen në ndihmë njerëzve të pamundur të Njësisë 7.

“Është traditë e mrekullueshme dhe provon atë që kemi thënë prej kohësh: askush nuk e ka monopol ndihmën, solidaritetin; patjetër që shteti duhet të bëjë të vetën, bashkia po ashtu, ama kur secili merr një pjesë të barrës, gjithçka  bëhet më e lehtë. Ndaj jam sot i bekuar, i lumtur dhe shumë i kënaqur që këtë barrë të ndihmës në komunitetet tona po e ndajmë me miqtë e Kryqit të Kuq. Më vjen mirë që keni zgjedhur këtë komunitet, ku vërtet ka nevoja, por ka edhe shumë fisnikëri, shumë dinjitet, dhe në duart e kolegëve dhe të gjithë rrjetit të vullnetarëve jam i sigurt që do të jetë një histori suksesi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se kjo hapësirë do të edhe shërbejë si qendër, ku të moshuarit apo personat në nevojë mund të kalojnë kohën e tyre. Veliaj nënvizoi faktin se pavarësisht punës së përditshme dhe misionit të përhershëm të institucioneve shtetërore për t’u përballur me varfërinë dhe nevojat e njerëzve me aftësi ndryshe, është e rëndësishme edhe ndihma e partnerëve të tjerë, qofshin këta individë apo organizata të ndryshme, si Kryqi i Kuq. “Fakti që edhe në vendet më të pasura i kushtohet rëndësi atyre që janë nevojtarë, do të thotë se beteja me varfërinë nuk fitohet as me një ditë, as me një natë, as me një javë, as me një supë: është një betejë konstante dhe unë jam i bindur që betejën e varfërisë në Tiranë ne e luftojmë në mënyrë dinjitoze dhe e fitojmë çdo ditë nga pak”, shtoi ai.

Sipas kryebashkiakut të Tiranës, sot qyteti ka një rrjet të tërë të mensave dhe qendrave sociale, që janë të gatshme të përballojnë çdo emergjencë dhe nevojë nga personat në nevojë.

Kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e dhënë nga Bashkinë e Tiranës, ndërsa theksoi se projekti i kësaj qendre sociale do jetë afatgjatë. “Kryqi i Kuq Shqiptar vendosi që të hapë këtë aktivitet, gjithmonë në mbështetje të misionit të tij, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve më nevojtarë. Është mision i Kryqit të Kuq Shqiptar të ndihmojë njerëzit në nevojë, kthehemi në origjinën tonë, në ofrimin e një supe, e një vakti të ngrohtë. Urimi ynë është që ky projekt të zgjasë sa më shumë dhe ta shtrijmë edhe në rrethe të tjera, edhe në mjedise të tjera”, u shpreh Alushi.

Në Tiranë funksionojnë aktualisht 7 mensa sociale që ofrojnë një vakt të ngrohtë për personat në pamundësi ekonomike, ndërsa në to mund të marrin shërbim 800 vetë në ditë nga 150 që ishte në 2015.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb