Në qytetin e Korçës u hap të shtunën muzeu “Gjon Mili”, që i kushtohet figurës së fotografit korçar që ka mbushur kopertinat e revistave botërore me teknikën e tij unike të fotografimit me dritë.


Në Muzeun e rikonstruktuar, ekspozohen 240 fotografi të mjeshtrit botëror të fotografisë me origjinë shqiptare Gjon Mili, thënie të tij apo të njerëzve të tjerë, që janë shprehur për të, ekspozitorë me elemente nga jeta e tij apo e kohës që jetoi.


Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, u shpreh se “në mjediset e këtij Muzeu, për të mos u humbur është “Dhoma e eksperimentit”, e cila ka në fokus dritën stroboskopike, si krijim i Milit dhe “Dhoma e fotografimit me dritë”, e cila është suveniri që mund të marrë çdo vizitor të realizuar me teknikën e Gjon Milit”.


Gjon Mili u lind më 24 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5 vjeçare familja e tij emigroi në Rumani. Atje Mili ku kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19 vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik.

Emri i tij është jo pak i njohur në Amerikë dhe Francë. Rëndësi në jetën e tij pati njohja e miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte krijimtarinë në fushën e artit. Për 15 vjet ka punuar fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, në 1946 hapi në Paris ekspozitën vetjake, ndërsa në 1942 ai fotografoi predhën e një topi avioni kalibër 37 milimetra me një kohë ekspozimi për një të miliontën pjesë të sekondës. Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës si shpikja e kohës.

Pikaso duke vizatuar në dritë dhe një ndeshje basketbolli janë dy nga fotografitë e tij të famshme, e para është renditur ndër 500 fotografitë më të mira të botës për 150 vjet, për albumin “Photo book”, Londër 2002. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes. Ai vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA.

(Atsh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb