Në Spitalin Rajonal të Beratit u hap për herë të parë Njësia e Kemioterapisë, për trajtimin e tumoreve afër vendbanimit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër shërbimin e ri në këtë spital, i cili zgjeron hartën e Njësive të Kemioterapisë në spitale, për të shmangur vajtjen deri në Tiranë të gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit, por edhe për trajtimin e tumoreve të tjera.

“Ne përgjatë gjithë këtyreve viteve kemi bërë të mundur që në 6 spitale rajonale të hapim kabinetet e kemioterapisë. Sot ne hapim një njësi të re, njësinë e kemioterapisë në Spitalin Rajonal të Beratit. Është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Bashkisë Berat por në fakt edhe për të gjithë ata qytetarë të bashkive të tjera të Qarkut, jo vetëm përsa i përket trajtimit të sëmundjes së kancerit të gjirit, por edhe për trajtime të tjera të llojeve të ndryshme të tumoreve. Çdo shërbim që ne jemi duke hapur i shkon kësaj strategjie, staregjisë së ofrimit të shërbimeve afër vendbanimit” ndau lajmin e mirë Manatirliu.

Duke folur për mbështetjen e qeverisë në fushën onkologjike, Manastirliu tha: “Ne kemi trefishuar buxhetin, përsa i përket buxhetit për barnat e sëmundjeve tumorale. Prej 2013-ës kemi 5-fishuar buxhetin për barnat në tërësi dhe sigurisht po vijojmë që nëpërmjet instrumetave, mekanizmave për negociata me kompanitë multinacionale edhe për medikamentet e shtrenjta, edhe për medikamentet, të cilat janë fjalë e fundit, pra janë inovatore, ne të kemi mundësi që të ofrojmë një gamë të gjerë të terapive të mjekimit”.

Shërbimi i Kemioterapisë në Berat i shtohet gjashtë kabineteve të kemioterapisë në spitalet rajonale në Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Elbasan, duke u garantuar qytetarëve ndjekjen e terapisë së trajtimit të sëmundjeve tumorale, afër vendbanimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb