HIMARË

Hapet për herë të parë një institucion i ri i përkujdesit social për të moshuarit, qendra komunitare për moshën e tretë në Palasë të Himarës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro vizituan qendrën e re, e cila do të shërbejë si qendër ditore komunitare por edhe si shtëpi pushimi për të moshuarit e vetmuar që janë në institucionet e kujdesit shoqëror në të gjithë vendin.

“Një godinë e rrënuar në Palasë, me investimin e Qeverisë është transformuar në një qendër komunitare për moshën e tretë. Sot jemi këtu për ta hapur këtë qendër model, që do t’ju shërbejë të moshuarve të vetmuar dhe të braktisur që jetojnë në institucionet tona të kujdesit social, të cilët do të mund të kalojnë pushimet e verës, por do të shërbejë edhe për komunitetin dhe grupet në nevojë si qendër komunitare ditore”, tha Ministrja Manastirliu gjatë hapjes së qendrës së re komunitare për moshën e tretë në Palasë.
Të moshuarit nga Shtëpia e Moshuarve Tiranë, ishin të parët që po frekuentojnë qendrën e re të Palasës.

Palase (2)
Palase (2)

“Jemi sot me grupin e parë të të moshuarve që po frekuentojnë këtë qendër, të cilët kanë ardhur nga Shtëpia e të Moshuarve Tiranë dhe do të kalojnë pushimet e veres në qendrën e re të Palasës që të moshuarit pa përkrahje, të mund të kalojnë disa ditë pushimi në natyrën e mrekullueshme të kësaj zonë”, tha Manastirliu.
“Ky investim i qeverisë që na shërben edhe si qendër komunitare për ata që kanë nevojë për shërbime, sic janë të moshuarit apo kategori të tjera sociale”, tha kryetar i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

Qendra e re komunitare për moshën e tretë në Palasë është një investim i qeverisë shqiptare prej 82 milion lekë, që ka shndërruar një ambient të braktisur dhe të rrënuar prej vitesh, në një qendër komunitare moderne, me standarde bashkëkohore, që do t’i shërbeje të gjithë të moshuarve të qendrave të kujdesit social në të gjithë vendin, por edhe grupeve të tjera sociale, si fëmijëve pa përkrahje, grave në nevojë etj.

Qendra e re ka kapacitet 37 shtretër, me 13 dhoma, me pajisje moderne, e ndërtuar me infrastrukturë bashkëkohore, bazuar në standardet e përkujdesit shoqëror për të moshuarit në institucionet publike dhe jopublike, ku i është dhënë rëndësi jo vetem ofrimit të shërbimeve bazë por edhe krijimit të mundësive për aktivitete rekreative.

Qendra ka bibliotekën, sallën e kinemasë, sallën e aktiviteteve, dhe disa ambinte të tjera të përbashkëta për të kaluar kohën e lirë të moshuarit që janë në qendrat rezidenciale publike.

Investimi i bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka synuar vetëm përshtatjen e infrastrukturës, por dhe personelin e kualifikuar që i shoqëron të moshuarit, që është ai i qendrës ku ata janë rezidentë. Shërbimet që ju ofrohen janë konform standardeve dhe të personalizuara për individë me nevoja të veçanta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb