Laçi konsiderohet klub i vogël, por skuadra e presidentit Pash Laksa e ka treguar veten në vitet e fundit, jo vetëm në futbollin vendës, por edhe në kupat e Europës.

Nëse një vit më parë kurbinasit iu gëzuan kalimit në turin e dytë të Ligës së Europës, pas eliminimit të azerëve të Keshlas, këtë edicion Laçi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro ka hapur një faqe të ndritur në historinë e klubit duke kaluar dy ture në Europë.

Kualifikimi ndaj rumunëve të Universitateta Krajovës është një arritje historike për Laçin dhe padyshim ky sukses i skuadrës është shpërblyer nga presidenca e klubit.

“Panorama Sport” ka mësuar se drejtuesit e Laçit kishin vendosur të motivonin ekipin me një premio rreth 70 mijë euro për kualifikimin ndaj Universitatea Krajovës.

Të besuarit e trajnerit Duro, jo vetëm që shkruan historinë e bardhezinjve në Europë, por “ngrohën” edhe xhepat me përfitimin e shumës së akorduar nga presidenti Laska.

Padyshim premioja 70 mijë euroshe ka qenë më se e merituar për futbollistët, të cilët në dy përballjet me milionerët rumunë treguan shpirtin në fushë dhe morën një kualifikim historik./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb