TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar me një mesazh 30-vjetorin e hapjes së ambasadës gjermane, ku u strehuan mijëra qytetarë shqiptarë për t’i ikur diktaturës.

Në një postim në “Facebook”, kreu i PD-së shkruan se kjo ditë shënoi fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët dhe një nga goditjet më të forta për diktaturën komuniste.

Basha thotë se ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë.

“Ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa”, thotë kreu i PD, teksa kujton dhe emocionet si 16-vjeçar në 1990.

MESAZHI I BASHËS
Si sot 30 vjet më parë hapja e dyerve të ambasadës gjermane në Tiranë shënoi fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët dhe një nga goditjet më të forta për diktaturën komuniste.
Mijëra qytetarë shqiptarë që u strehuan për gati dy javë në ambasadën gjermane, u bënë ato ditë simboli i qëndresës dhe kurajës ndaj një regjimi që edhe në grahmat e fundit kishte treguar mizori çnjerëzore.
Edhe pse në kushte të vështira, ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë.
Ditët e nxehta të korrikut ’90 ishin vendimtare për ndryshimin e madh që ndodhi në Shqipëri vetëm pak muaj më pas.
Shumë të rinj sot, të lirë për të udhëtuar kudo në Europë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodhi ato ditë të nxehta korriku në Tiranë. Të tjerë, në moshë më të madhe i kane ende të freskëta në kujtesë ngjarjet e Rrugës së Ambasadave, pasigurinë për të ardhmen e atyre që ishin brenda dyerve, padurimin për t’u larguar drejt perëndimit të ëndërruar, apo dyzimin dhe frikën e të tjerëve që shihnin nga larg se si regjimi po shkërmoqej.
Sot si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa. Janë vlerat e një bashkimi që na frymëzon dhe na shtyn përpara.
Shqiptaret përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave. I jam kthyer jo pak herë me mendje dhe me emocionet e pashlyeshme të 16-vjeçarit, 2 korrikut 1990, e në veçanti ditën kur si Ministër i Brendshëm ndërmora bashkë me një grup të rinjsh dhe studentësh udhëtimin e parë pa viza të shqiptarëve drejt Europës.
Le të jetë kjo ditë një shtysë dhe frymëzim për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve, për të rrëzuar çdo mur që na mban larg Europës së cilës i përkasim.

Basha Fb
Basha Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb