Nga OLA MITRE*

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit do të jetë organi përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to”. Gjithçka përcaktohet në projektligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish­Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Ndërkohë që, përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola shpjegon në detaje se si do të kryhet procesi i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Z.Kola, tashmë projektligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish­Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” ka kaluar në Parlament për diskutim. Cilat do të jenë ato kategori që do të kenë të drejtë të kërkojnë informacion rreth dosjeve?

Në situatën aktuale, projektligji është paraqitur në parlament sipas të gjitha procedurave normale, do të diskutohet në disa komisione parlamentare: sigurisht në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe atë të Ligjeve. Mund të diskutohet dhe në komisione të tjera dhe kjo procedurë do të fillojë që ditët e para të hapjes së sesionit të ri të parlamentit. Ndërkohë që, pas diskutimeve do të shkojë për votim në seancë plenare. Projektligji trajton disa kategori që kanë të drejtë të kërkojnë informacion lidhur me dosjen dhe këqyrjen e saj. Kategoritë që kanë të drejtë në hapjen e dosjeve fillojnë me të prekurit, pra ata persona që kanë qenë subjekt dhe objekt i dhunës së Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, personat që kanë qenë palë të treta, që do të thotë që për këta persona janë mbledhur informata për llogari të Sigurimit të Shtetit, por nuk i janë nënshtruar persekutimit politik dhe dy palë të kundërta me ta, që janë bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.

Cilët persona quhen bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?

Ligji ka një përkufizim për bashkëpunëtorët: quan ata që kanë punuar për Sigurimin e Shtetit e që merrnin rrogë, të cilët ne ndryshe i njohim si sigurimsa, si dhe gjithë nomenklaturën e piramidës së Sigurimit të Shtetit, që nga zyrtarë të thjeshtë deri te maja e piramidës së Sigurimit të Shtetit, duke mos lënë mënjanë ata që janë bashkëpunëtorë, të cilët, në rrugë zyrtare ose jozyrtare kanë bashkëpunuar. Këtu futen edhe të privilegjuarit e Sigurimit të Shtetit.

A ka një dallim në kërkimin e informacionit nga këto kategori?

Gjithë dallimin e bën fakti se çfarë dokumentacioni mund të shohë secila prej palëve. Një i prekur kërkon të marrë informacion për dosjen e tij; merr të gjithë informacionin që ka dosja, merr dhe një dublikatë të saj për ta parë. Nuk i parandalohet asnjë lloj e dhëne në dosje. Në qoftë se dosja e tij përmban jo emra konkretë, por pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, ky person i kërkon ‘Autoritetit’, informacion të plotë lidhur me këta persona dhe ‘Autoriteti’ është i detyruar t’ia japë. Pra, të prekurit marrin informacion të plotë lidhur me dosjen e tyre. Personat që kanë qenë në nomenklaturën e Sigurimit të Shtetit dhe personat që kanë qenë të favorizuarit nga Sigurimi i Shtetit (që kanë marrë privilegje apo janë mbrojtur nga Sigurimi i Shtetit) mund të marrin informacion vetëm për pjesën e tyre, por jo për atë që përmbahet në dosje e që ka të bëjë me të prekurit. Gjithçka që ka lidhje me informacionet e të prekurve fshihet kur u jepet dublikata apo informacioni.

Të gjithë bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit kanë një dosje?

Normalisht, të gjithë bashkëpunëtorët duhet të kenë një dosje.

Po tjetër, kush mund të marrë informacion?

‘Autoriteti’ detyrohet t’i japë informacion çdo institucioni kushtetues apo institucioni publik lidhur me emërimet që këto institucione bëjnë për individë të caktuar. Për shembull, në qoftë se një anëtar i Gjykatës Kushtetuese do zgjidhet nga parlamenti, atëherë parlamenti i kërkon informacion ‘Autoritetit’ lidhur me të shkuarën e tij. Po ashtu, prokurorë apo gjyqtarë që emërohen nga KLD-ja, në rast emërimi i kërkon ‘Autoritetit’ informacion për të shkuarën lidhur me këtë gjyqtar. Pra gjithë institucionet, që nga Presidenti i Republikës dhe çdo person që zgjidhet nga parlamenti apo institucionet publike i nënshtrohen këtij verifikimi. Institucionet kanë të drejtë t’i thonë ‘Autoritetit’: na jep informacion lidhur me të shkuarën e kandidatit. Më pas, është në gjykimin e këtyre autoriteteve, bazuar në ligjet përkatëse që verifikojnë figurën etiko-morale të kandidatëve, të marrin vendim nëse do emërohet një kandidat, i cili ka të shkuar të implikuar në Sigurimin e Shtetit, por gjithsesi informacioni për këta persona bëhet publik.
Por aktualisht nuk ka një ligj që ndalon emërimin e këtyre personave…
Aktualisht nuk ka një ligj, por nëse ka ndonjë element për të dhënat personale, ky ligj kujdeset që të jetë konform ligjit për të dhënat personale. Bëhet fjalë për persona që do të konkurrojnë në funksione kushtetuese apo titullarë në nivele të larta dhe në të gjitha hallkat e vendimmarrjes.

Pra, titullarit të institucionit i jepet e drejta që të mos emërojë një person që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?

Titullarit i jepet e drejta të verifikojë dhe kur merr një informacion, ligjet tona për vendimmarrësit e lartë kanë një element të verifikimit të figurës etiko-morale dhe në qoftë se për rastin konkret, çdo institucion pajiset me këtë të dhënë, ata e kanë në diskrecionin e tyre të emërojnë një person që ka bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit apo të mos e emërojnë. Por sigurisht, nderi dhe lavdia është e gjitha për vendimmarrësin, që do të thotë se, për shembull parlamenti do të kishte kurajë të madhe të emëronte apo t’i thoshte popullit shqiptar që, ‘unë emërova një person që ka pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit’. Fakti që kjo është bërë në këtë mënyrë, do të thotë që në një mënyrë faktike do i bëjë të mundur vendimmarrësit shqiptar në të gjitha hallkat (legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor) që në një mënyrë ose në një tjetër, duke ushtruar atë prorogativ për vendimmarrjen të bëjë, le të themi, sheshimin e gjërave, sepse është më se normale që, nëse do jetë një kandidaturë e cila nuk ka mëkate nga e shkuara përballë një kandidature që ka mëkate nga e shkuara, do ishte paradoksale që populli shqiptar të zgjidhte një vendimmarrës që ka mëkate nga e shkuara si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Pse kjo nuk është futur në ligj, por është lënë në dorë të drejtuesve dhe a mund të jetë riskoze, pasi mund të sjellë abuzime në momentin që është lënë në dorë të drejtuesve?

Në momentin që do futej në ligj si detyrim, do të kishim të bënim me një proces tipik lustracioni. Kjo është teknike si qasje, por qasja që ka zgjedhur qeveria është 100% në përputhje me Kushtetutën, nuk bie ndesh me të. Ligjet e lustracionit, në situatën ku jemi nuk janë në konformitet me Kushtetutën, pasi edhe në vitin 2008 ne tentuam të bëjmë një ligj për lustracionin, i cili si pasojë e opinionit të Komisionit të Venecias, opinion i cili u hodh në formën e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, qartazi shprehet që lustracioni nuk mund të kryhet në vende, të cilat kanë një Kushtetutë funksionale dhe një doktrinë kushtetuese solide, siç e ka Shqipëria. Akoma më tej ne kemi detyrim edhe në nivel ndërkombëtar, pasi Shqipëria ka firmosur traktatin për miratimin e Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës. Për më tepër, asnjë vend anëtar i Këshillit të Evropës nuk mund të bjerë nën minimumin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut që përcakton konventa. Kushtetutat respektive të vendeve anëtare duhet t’i mbrojnë këto të drejta në një nivel të caktuar, por kurrsesi jo më poshtë se niveli që përcakton kjo konventë. Për t’u theksuar është edhe fakti se Bashkimi Evropian ka një kusht të panegociueshëm, që pranon si anëtare vetëm ato vende që paraprakisht janë anëtare të Këshillit të Evropës. Kështu që jemi në një situatë ku qeveria në mënyrë profesionale dhe të vetëdijshme ka zgjedhur që të bëjë një ligj, i cili nuk bie ndesh me Kushtetutën. Ka elementë faktikë të lustracionit, pra, në qoftë se një vendimmarrës emëron dikë që është me dosje dhe lë jashtë dikë që nuk ka mëkate nga e shkuara, kjo do ishte situatë paradoksale, por kostoja e këtyre veprimeve shihet në të ardhmen. Për shembull, nëse presidenti, kryeministri, parlamenti etj. emëron një person që ka pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, do merrte kosto mediatike, elektorale dhe morale. Në këtë lloj këndvështrimi, ky ligj të krijon hapësirë për një qasje praktike dhe faktike. Çdo lloj qasjeje tjetër, ne tashmë e kemi precedentin dhe do bjerë ndesh me Kushtetutën. Shqipëria do mund të bënte ligje shumë të mira lustracioni në vitet 1991-1996, marrë nga modelet nga më të mira.

Të kthehemi te marrja e informacionit nga të prekurit: Trashëgimtarët e tyre, do ta kenë këtë të drejtë?

Edhe trashëgimtarët do kenë të drejtë të marrin informacion për të gjithë hierarkinë e trashëgimisë. Për shembull, nipi për gjyshin, nëse babai nuk jeton. Mund të marrë për hallën apo tezen, nëse ato nuk jetojnë. Pra, të gjithë personat e prekur, të cilët nuk jetojnë, por kanë trashëgimtarë, trashëgimtarët e tyre do mund të marrin informacion lidhur me jetën e të prekurve, nisur nga ajo se çfarë Sigurimi i Shtetit ka në dosjen e tyre. Në rastin kur ata janë ekzekutuar me ose pa gjyq, ku janë eshtrat e tyre etj., që do t’i ndihmojë edhe në shërimin e një plage pothuajse tashmë 70-vjeçare, pasi ne kemi shumë kërkesa për gjetjen e eshtrave dhe shumë pak deri tani janë realizuar.

Dosjet, e kanë informacionin për eshtrat?

Dosjet e kanë këtë informacion për çdo person të zhdukur, për sa kohë ata janë zhdukur nga Sigurimi i Shtetit. Në këtë sens edhe Sektori për Gjetjen e të Zhdukurve, që është ngritur pranë institucionit tonë, ky ligj ka për të na dhënë një ndihmë jashtëzakonisht të madhe, pasi ka për të na dhënë shumë informacion.

Po mediat, a do të kenë të drejtë të marrin informacion?

Edhe mediat do të kenë të drejtë të aksesojnë informacionin, por ai nuk ka për të qenë informacion me të dhëna tipike personale. Ka për të qenë informacion, që do të bëjë të qarta praktikat e Sigurimit ose gjëra të natyrës që Sigurimi i Shtetit ka për dosje specifike. Natyrisht, të dhënat përkatëse për të prekurit në këto dosje, që besohet se kanë qenë objekt persekucioni, nuk mund t’i jepen medias pa pëlqimin e një të prekuri. Një i prekur mund të shpalosë pëlqimin e tij, që, ‘këto të dhëna të miat mund t’i jepen medias’ dhe në këtë rast ato mund të jepen. Ndërsa, për pjesën e Sigurimit të Shtetit, media ka për të marrë informacion të plotë lidhur me bashkëpunëtorët. Duhet mbajtur parasysh që termi ‘bashkëpunëtorë’ përfshin njerëz që kanë qenë në organikën e shtetit, punonjësit dhe sigurimsat.

Me emra të plotë do të merret ky informacion?

Në rast se ka pseudonime, kemi elementë të tjerë, që për pseudonimet mund t’i bëhet kërkesë e posaçme ‘Autoritetit’ që të bëjë interpretimin e saj, por ajo që përmbahet në dosje do të bëhet publike.
Trashëgimtarët, duhet të paraqesin ndonjë dokument të veçantë në momentin që do kërkojnë informacionin?
Është më se standarde si procedurë: çdo trashëgimtar, që kërkon të marrë një informacion, duhet të paraqesë dokumentin që vërteton lidhjen midis tij dhe të vdekurit. Në rastin e personave që nuk janë trashëgimtarë, por kanë të afërm persona që nuk kanë aftësi fizike për të bërë verifikime, mund të pajisen me një prokurë të posaçme dhe të marrin informacion.

Kërkesa e informacionit, do të jetë me pagesë?

Jo, do të jetë falas.

Në rast se gjithçka shkon si duhet gjatë diskutimit në parlament, kur mund të flitet për një nisje të procesit?

Ne gjykojmë që ligji duhet të kalojë në parlament deri nga mesi i muajit shkurt, me idenë që në mars ligji të vijë në fuqi e të nisë krijimi i ‘Autoritetit’, i cili do të ketë në përbërje 5 anëtarë.

Sa kohë do të marrë krijimi i arkivës?

Me krijimin e ‘Autoritetit’, të gjitha dosjet dhe të gjitha dokumentet që janë krijuar nga Sigurimi i Shtetit do identifikohen. Po ashtu dhe institucionet që i administrojnë, qofshin këto edhe private, ndërsa do të detyrohen të pajisin ‘Autoritetin’ me këtë informacion. ‘Autoriteti’, me kërkesë ku identifikon se ndodhet një dosje, ia adreson institucionit ku ajo ndodhet dhe e merr në administrim. E sigurt është që planifikohet që ‘Autoriteti’ të vijë në efiçencë në plotë jo më shumë se 2 muaj nga data e miratimit të ligjit.

Sa mund të jetë numri total i dosjeve?

Numri i dosjeve duhet të jetë në total rreth 20 mijë.

A janë të gjitha të plota këto dosje?

Në një diskutim që kemi pasur me të gjithë aktorët në MMSR (nga Ministria e Brendshme dhe SHISH), na thanë që një pjesë e dosjeve kanë mangësi, iu janë hequr një pjesë e dokumenteve, një pjesë janë zhdukur, por këto përbëjnë një numër të vogël për t’u shqetësuar. Natyrisht që preferenciale do ishte t’i kishim të gjitha, por edhe në Gjermani rreth 40% e dosjeve ishin të dëmtuara, por kjo nuk e ndaloi procesin.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: