Nga: BESIM NDREGJONI*
Jemi në vitin e 25-të të ndërrimit të sistemit nga ai totalitar në pluralizëm politik. Klasa politike shqiptare për dy dekada e gjysmë, jo vetëm që nuk u shkëput nga e kaluara komuniste, por përkundrazi krijoi një atmosferë “armiqësore” ndaj atyre që përballuan genocidin komunist (ish-të përndjekur politikë kundërshtarë të regjimit komunist) dhe pse këta, përçuan në shoqërinë postkomuniste: Paqen dhe jo hakmarrjen, virtyte të larta njerëzore të këtyre shqiptarëve të mirë që shquheshin dhe nga gjeneza kombdashëse nga vinin. Fatkeqësisht të përndjekurit u përballën në këtë çerek shekulli pluralizëm me një luftë të re “klasash” me metoda “demokratike”, pjesa intelektuale e ideologjizuar nga diktatura dhe trashëgimtarët e privilegjuar të sistemit totalitar u ndanë në dy kampe “demokratë” e “socialistë”, përvetësuan me anë pushteti e korrupsion ekonominë kombëtare dhe sot numërojnë në partitë e tyre jo pak, por 55 miliarderë në një ekonomi tregu allashqiptarçe që është e vdekur dhe e pakallur…Në këtë situatë politike pushteti aktual nxori në treg politik e mediatik: “Hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve”. Klasa politike shqiptare e ka përdorur në formën e pingpongut këtë problem sa madhor, por dhe shumë shqetësues për shoqërinë shqiptare. Hapja e dosjeve është një gur i rëndë për një shoqëri që ka kaluar trauma çnjerëzore ku dihet shkaku dhe pasoja. Shkaku ishte mbajtja e pushtetit me dhunë nga diktatura dhe pasojat ishin viktimizimi i të pafajshmit, qytetarët që kundërshtonin këtë tragjedi të një bande të çmendurish ideologjikë që e etiketonin veten komunistë shqiptarë. Viti 90 dhe fillimi i vitit 91 kishte një bilanc të tmerrshëm krimi 45-vjeçar, situata kishte agravuar në atë xhungël komuniste “të mbijetosh apo të vdesësh”, vetëm kjo ishte zgjidhja e shqiptarëve për atë kohë terrori. Xhungla kishte rrethuar vendin me tela e me gjemba dhe e kishte mbushur vendin me mijëra të vrarë e të zhdukur, me mijëra të burgosur të sakatuar e të çmendur me tortura në kampet famëkeqe tronditëse si Burreli, Spaçi, Qaf-Bari, mijëra familje nëpër kampet e internimit po humbnin gjuhën e vendin e lindjes dhe ishin kthyer në fantazma të mbijetuarish. Përçudnimi, poshtërimi, depersonalizimi, ishin metodat e edukimit të xhunglës komuniste shqiptare. 80% e popullsisë priste persekutimin pa ligje që mund të ndodhte në çdo çast në xhunglën shqiptare. Ky bilanc krimi është bërë me dosjet që funksiononte pushteti i xhunglës komuniste shqiptare. A duhen hapur dosjet? Sigurisht dosjet duhet të hapen kjo është kërkesë e shoqërisë. Shoqëria kërkon transparencë dhe moral për të ndërtuar demokracinë…Politika të kundërtën e shoqërisë të mos hapen, se hapja e tyre nxjerr në shesh shërbimet që i kanë bërë pushtetit të xhunglës. Por kush duhet ti hapë dosjet? Ata që i krijuan dhe i shërbyen ekzekutimit të tyre, apo trashëgimtarët e krijuesve të dosjeve! A ka moral politika e pushteti aktual direkt pinjollët e udhëheqësve të xhunglës komuniste të hapin dosjet. Këta “dosjerë” dhe trashëgimtarë dosjerësh gjatë 25 viteve refuzuan jo vetëm hapjen e dosjeve, por nderuan xhelatin dhe kryeterroristin e xhunglës, që zbatoi e ekzekutoi dosjen dhe përbuzën viktimën duke e etiketuar siç e kishte sajuar dosja e krijuesve e (prindërit e tyre). Hapja e dosjeve nuk do të penalizojë askënd deklaronte në një emision televiziv iniciatori i ligjit për hapjen e dosjeve, pushtetari i ardhur me bekim të “Sorosit” në drejtimin e një ministrie ku i kanë besuar trajtimin e ish-të mbijetuarve të xhunglës dhe viktimave të krimit të dosjeve. Pra do të ketë hapje mekanike të dosjeve. Në qoftë se ndonjë viktimë kundërshtare e pushtetit që kërkon të jetë në politikë, atëherë këtij do t’ia bëjmë publike dosjen. Ne nuk shkelim të drejtën e kriminelit, ajo mbrohet dhe pse ka bërë krimin, e ka bërë dosjen e kundërshtarit të xhunglës, se biem ndesh me Gjykatën Kushtetuese. Ne nuk hakmerremi anipse kjo gjykatë mbron krimin dhe penalizon viktimën.. Po, ne ishim dje gjykata e xhunglës dhe bëmë dosjet, sot jemi Gjykata Kushtetuese dhe mbrojmë krimet e dosjeve që i sajuam dhe i ekzekutuam. Hapja e dosjeve nuk është për tu hakmarrë ndaj një individi me pushkatim, burg, internim, përçudnim siç bëhej në xhunglën komuniste shqiptare. Hapja e dosjeve është për të pastruar politikën nga krimi dhe krimineli, dhe për të ndërtuar një politikëbërje me moral-ligj funksionuese për një demokraci ku të dënohet krimi e krimineli që xhungla mos të na përsëritet. Të drejtat dhe liritë e njeriut janë universale dhe mbrohen nga të gjithë, por krimi dënohet në çdo kohë dhe kur thuhet se kanë kaluar 25 vite kur është bërë krimi. Projektligji Velia është thjesht një demagogji tipike komuniste dhe aspak për të mësuar nga e kaluara e xhunglës komuniste pinjoll i së cilës është dhe autori i këtij ligji. Nuk mund të ketë hapje dosjesh pa lustracion që dënon krimin makabër që përmbajnë dosjet ndaj shqiptarëve në periudhën komuniste. Në qoftë se nuk dënojmë pasojat e krimit të dosjeve, për çfarë i hapim ato! Hapja e dosjeve nuk u takon atyre që trashëgojnë pushtetin e xhunglës, por kjo hapje i takon shoqërisë e atyre që pësuan nga dosjet dhe refuzuan hakmarrjen. Krimi duhet të dënohet, kjo nuk është një kërkesë politike apo e klasës së martirizuar nga dosjet, por një domosdoshmëri e një zhvillimi që imponon marrjen e një qëndrimi që përjashton oportunizmin politik të ditës dhe synon ndërtimin e bazave të qëndrueshme morale të shoqërisë shqiptare. Përgjegjësia jonë sot nuk kufizohet me demaskimin e krimit komunist në Shqipëri që është hapi i parë, por dhe dënimin e këtij krimi. Ajo përfshin edhe eliminimin e mundësisë së një përsëritje dhe ndërtimin e një shoqërie që siguron paqen dhe sigurinë për brezat e ardhshëm. Kjo është përgjigjja e qytetëruar, dinjitoze ku përjashton hakmarrjen, një cilësi shtazarake vetëm për xhunglën. Hapja e dosjeve kërkon dënimin e krimit, ndëshkimin e kriminelit dhe vendosjen e një drejtësie që siguron barazinë për të gjithë pa përjashtim. Morali është ligji i pashkruar, por që gjen zbatim çdo ditë në një shoqëri të civilizuar e demokratike. Këtë Shqipëri duam ne të mbijetuarit e xhunglës. Kjo nuk është Shqipëria për të cilën luftuan kundërshtarët e komunizmit. Kjo nuk është Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarëve të lirë për të cilën kemi andruar e shpresuar në këto 25 vite. Hakmarrje? Jo! Drejtësi? Po!
*President i Unionit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: