Një ditë para lajmit të mirë që pret Shqipëria për marrjen e rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave, politika shqiptare nuk gjen dakordësi.

Deputeti socialist Taulant Balla shkruan se 5 deputetë të opozitës, Aldo Bumçi, Kastriot Islami, Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi dhe Genc Pollo kanë votuar kundër rekomandimit të BE për hapjen e negociatave. Ndërsa deputetja Majlinda Bregu ka votuar pro. Balla madje e quan “kamikaz ushtarin Aldo”, por thotë se opozita nuk mund ta prishë lajmin e mirë që pret nesër Shqipëria.

“Skandali i PD shkon deri në fund. Bumçi, Islami, Bylykbashi, Halimi dhe Pollo votojnë kundër rekomandimit për hapjen e negociatave.
Ja teksti që mori votat pro të deputeteve të mazhorancës, eurodeputetëve të majë, të djathtë dhe të gjelbërt dhe te Majlinda Bregut:
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri i “bën thirrje Komisionit Europian dhe Këshillit për hapjen e negociatave dhe Shqipërisë të sigurojë më shumë progres të qëndrueshëm në lidhje me implementimin e 5 prioriteteve, që duhen për hapjen e negociatave”.
Faleminderit miqve të Shqiperise ne Parlamentin Europian!
#Rilindje?
#ShqiperiaeGjeneratesTjeter
Opozita nuk mundi ta prishë lajmin e mirë që Shqipëria jonë pret nesër nga Komisioni Europian, pra rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim ne Bashkimin Europian. Megjithëse se ushtari Aldo bëri edhe sot kamikazin. Keqardhje për vaj medet opozita jonë”, shkruan Balla.

Ndërsa deputetja Majlinda Bregu kritikon kolegët e saj dhe madje edhe kryetarin e PD Lulzim Basha, të cilët madje i sulmon me gjuhën e Konicës honxhobonxho. Bregu thotë se “edhe sikur të dua unë apo Lulzim Basha të bllokojmë Integrimin e Shqipërisë në BE, nuk na lejon historia jonë. Se kam bere dhe s’ do ta bej KURRE!”

“Për ca shqiptare honxhobonxho, – siç i quante Konica…
“Ne qëndrimet e mia gjatë këtyre viteve në opozite në Bruksel a kudo jam ndodhur, kam mbrojtur përpjekjet 25-vjeçare të Partisë Demokratike dhe ëndrrën e demokratëve shqiptarë për ta parë Shqipërinë në Evropë.
Kam mbrojtur po ashtu punën time 7-vjeçare si Ministre e Integrimit dhe qëndrimet programore të PD për të nxitur anëtarësimin e shpejt të Shqipërisë ne BE.
Edhe sikur të dua unë apo Lulzim Basha të bllokojmë Integrimin e Shqipërisë në BE, nuk na lejon historia jonë. Se kam bere dhe s’ do ta bej KURRE!
Asnje Dite, asnje Ore! Jam “e denuar” t’i kushtoj me shume vemendje shprehjes se vetvetes se sa mohimit te vetvetes. Kete e kam bindje! Kete do te mbroj!”, shkruan Bregu.
Në datën 17 tetor 2016 , “BalkanWeb” referuar burimeve zyrtare në Bruksel, dha e para lajmin se “Shqipëria pritet të marrë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave por me kusht, rezultate konkrete nga reforma në drejtësi”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb