TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë në mbyllje të punimeve të Samitit të Vjenës, ku ka deklaruar se reforma në drejtësi mbyll gjithë detyrimet e Shqipërisë dhe më pas i takon BE-së të vendosë për negociatat. Në mbyllje të samitit, Rama tha gjithashtu se janë vendosur piketat për të vazhduar vitin e ardhshëm.

“Duke filluar që nga shtatori do të punojmë bashkërisht me institucionet financiare europiane për një koncept mbi alternativat e financimit të projekteve, duke vazhduar me fillimin e punës për projektin e fizibilitetit për Korridorin e kaltër, pra, për autostradën e re që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë dhe që do të sjellë të mira të mëdha për ekonominë e vendit tonë, pasi do të sigurojë një lëvizje shumë më intensive, qoftë për njerëzit, për mallrat dhe mënyrë të veçantë për të gjithë ata që janë të dëshiruar ta shohin Shqipërinë si destinacion turistik”, ka thënë Rama.

Gjithashtu- shtoi kreu i qeverisë, – kemi folur për finalizimin e projektit të fizibilitetit për rrugën Beograd-Nish-Prishtinë-Durrës, që do të bëjë të mundur intensifikimin e fluksit dhe është rënë dakord që të punohet mbi dy idetë tona të propozuara lidhur, nga njëra anë Unionin ekonomik, unifikimin e të gjitha procedurave dhe rrëzimin e barrierave tarifore mes vendeve tona dhe njëkohësisht nga ana tjetër për të ngritur një bankë rajonale të zhvillimit.

Lidhur me regjimin e vizave për shtetasit e Kosovës, Rama u shpreh se, “Unë jam shumë besimplotë që përshtypjet që ne po japim, por dhe mirëkuptimi i madh që gjejmë për këtë çështje do të sjellin së shpejti rezultatin e dëshiruar që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht dhe Europa ta heqë nga supet e veta barrën e këtij turpi të madh”.

Ndërsa duke folur për dritën jeshile që mori Serbia për negociatat dhe nëse Shqipëria është gati, Kryeministri Rama është shprehur se, “Serbia, të mos harroni që dritën jeshile për të filluar negociatat e ka marrë kohë përpara por gjithçka ka qenë e bllokuar për shkak të procesit të dialogut me Kosovën. Kushtëzimi me ecurinë e këtij procesi ka bërë që Serbia të bëjë të gjitha përpjekjet e saj për të avancuar në dialog. Kështu që janë dy gjëra të ndryshme”.

“Ndërkohë që unë besoj që ajo që kemi përsëritur mbetet aktuale. Ne me reformën në drejtësi mbyllim të gjitha detyrimet tona dhe pastaj i takon BE-së të vendosë datën për hapjen e negociatave”, ka deklaruar Kryeministri Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: