Zyrtarë të lartë talebanë dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara kanë diskutuar “hapjen e një faqeje të re” në marrëdhëniet e vendeve të tyre, ndërsa nisën bisedimet në Katar. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Jashtëm i Afganistanit.

Mullah Amir Khan Muttaqi, ministri i Jashtëm i Afganistanit, tha se fokusi i delegacionit afgan ishte ndihma humanitare, si dhe zbatimi i marrëveshjes që talebanët nënshkruan me Uashingtonin vitin e kaluar, e cila hapi rrugën për tërheqjen përfundimtare të SHBA.

Ministri tha se delegacioni afgan ka kërkuar nga SHBA që të heqë ndalimin e saj për rezervat e bankës qendrore të Afganistanit. Ai shtoi se SHBA do t’i ofrojë afganëve vaksina kundër COVID-19.

Delegacioni taleban më vonë do të takohet me përfaqësues nga Bashkimi Evropian.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha të premten në mbrëmje se bisedimet nuk kishin të bënin me njohjen ose legjitimimin e talebanëve si udhëheqës të Afganistanit, por janë një vazhdimësi e bisedimeve pragmatike mbi çështjet me interes kombëtar për SHBA. Ai tha se përparësia ishte largimi i vazhdueshëm i sigurt i afganëve, qytetarëve amerikanë dhe shtetasve të tjerë të huaj nga Afganistani, duke shtuar se një qëllim tjetër ishte nxitja e talebanëve të respektonin të drejtat e të gjithë afganëve, përfshirë gratë dhe vajzat, dhe të formonin një qeveri gjithëpërfshirëse me mbështetje.

Departamenti i Shtetit nuk bëri të ditur se kush do të udhëtonte në kryeqytetin e Katarit nga pala amerikane.

Takimet personale që filluan në Doha të shtunën janë të parat që kur forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani në gusht-duke i dhënë fund një pranie ushtarake 20-vjeçare-dhe ngritjes së talibanëve në pushtet.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: