Ministria e Financave njoftoi se sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Pritet dalja me sukses në tregjet ndërkombëtare për Eurobondin.

Pas një jave intensive takimesh me investitorët në disa prej qendrave kryesore financiare europiane, pritet sot finalizimi i një procesi të rëndësishëm për ekonominë dhe financat shqiptare, dhe kredibilitetin e vendit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Shqipëria synon të marrë hua deri në 500 milionë euro, përmes emetimit të Eurobondit, me afat maturimi 5-7 vjet. Ministria e Financave bën të ditur se ky afat maturimi do të ishte një arritje që reflekton drejtpërsëdrejti rritje të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë dhe financat e vendit.

Po kështu, sipas Ministrisë se Financave në diferencë nga viti 2015, Eurobondi i ri pritet të rezultojë me interesa më të ulëta. Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.

Në një lidhje telefonike me News24 dhe BalkanWeb, vetë ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha nga Parisi se po kalohen ditë ankthi dhe emocionesh në pritje të huasë.

“Është e rëndësishme të themi që kemi bërë një punë të gjatë me muaj. Sot është mundësia e një transaksioni të mundshëm nga Parisi. Ka një orë që është hapur tregu me orën e Londrës. Është një ditë e ngarkuar me ankth dhe emocion.

Sa më afatgjatë të jetë bond, dolëm me 7-vjeçar për të testuar ekonominë . Test i rëndësishëm për besimin e investitorëve. E rëndësishme është te besimi që kam te e ardhmja e ekonomisë. Besoj se do t’ia dalim,” tha Ahmetaj.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: