TIRANË

Publikohet dokumenti i ekspertëve në lidhje me pyetjet e drejtuara një ditë më parë nga bashkëkryetari në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.

Ekspertët e Këshillit politik i janë përgjigjur në këtë mënyrë, interesit të përfaqësuetit të PS, Damian Gjiknuri lidhur me propozimin e opozitës së bashkuar për hapje 100% të listave si edhe koalicioneve parazgjedhore.

Ekspertët shprehen se amendamentet kushtetuese nuk pengojnë hapjen 100% te listave. Gjithashtu në opinionin e tyre, amendamentet kushtetuese nuk pengojnë as koalicionet parazgjedhore. Por ekspertët theksojnë se hapja ne masen 100% mund te sanksionohet në Kodin Zgjedhor ashtu sikundër edhe modalitetet për krijimin e koalicioneve.

Ja përgjigjja e tyre e plotë për Gjiknurin

1) A pengojnë apo lejojnë amendamentet kushtetuese që ndodhen në procedurë parlamentare hapjen 100% të listave ?

Amendamentet kushtetuese modifikojnë dy nene të Kushtetutës: nenin 64, i cili është dispozita kushtetuese që rregullon sistemin zgjedhor, si dhe nenin 68, i cili është dispozita kushtetuese që rregullon kandidimin si deputet.

Pyetja e mësipërme, përgjigjen e gjen kryesisht tek formulimi i amendamentit të nenit 64. Në pikën 3 të këtij amendamenti shkruhet:

“3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”

Dispozita sanksionon të drejtën e zgjedhësit për të dhënë votë parapëlqyese, autorizon ligjin zgjedhor që të normojë kriteret dhe rregullat për masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes, si dhe vendos kushtin që mekanizmi i votimit parapëlqyes të veprojë mbi jo më pak se dy të tretën e listës së kandidatëve.

Përdorimi në tekstin e kësaj pike i fjalëve “jo më pak se” i jep kushtit formatin e një detyrimi minimal. Çdo shifër më e lartë se dy të tretat është në përputhje me formulimin e amendamentit kusjhtetues. Çdo shifër më e ulët se dy të tretat është në kundërshtim me të. Në rastin konkret shifra që analizohet është shifra tre të tretat (e shprehur në pyetje si përqindje: 100%). Shifra tre të tretat përfshihet në kushtin e amendamentit dhe përbën nivelin më të lartë të tij.

Amendamentet kushtetuese nuk trajtojnë modalitetet (kriteret dhe rregullat), por autorizojnë ligjin zgjedhor të merret me to. Ky autorizim përsëritet edhe në amendamentin e nenit 68, sipas të cilit “Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”. Të dyja këto autorizime kompletojnë nevojën për rregullimin e plotë të mekanizimit, si për ato elementë që kanë lidhje me momentin e regjistrimit të kandidatëve, ashtu dhe për ato elementë që kanë lidhje me momentin e shpërndarjes së mandateve.

2) A lejojnë amendamentet kushtetuese koalicionet apo i pengojnë ato ?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të sillen në vëmendje dy gjëra të rëndësishme:

a) dallimi sintaksor midis nenit 68 në fuqi, amendamentit të tij sipas nismës dhe amendamentit të tij sipas kompromisit të arritur;
b) diskutimi rreth çështjes së koalicioneve gjatë debatit kushtetues në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve.

Formulimi i nenit 68 në fuqi përfshin “koalicionet zgjedhore të partive politike” si subjekte që kanë të drejtë të paraqesin kandidatë. Formulimi i amendamenteve sipas nismës ka hequr termin “koalicione zgjedhore të partive politike” nga lista e subjekteve që kanë të drejtë të paraqesin kandidatë, si dhe ka shtuar fjalinë “Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore” si fjali të dytë të pikës 1 të nenit. Formulimi i amendamenteve sipas kompromisit të arritur në Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin e Ligjeve ka hequr fjalinë “Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore”.

Këto modifikime kanë shkaktuar debat dhe keqkuptime në opinionin publik. Në diskutimet brenda Këshillit Politik dyshimi për ndalimin e mundshëm të koalicioneve parazgjedhore është mbështetur në dy argumenta:

1. Heqja e fjalëve “koalicione zgjedhore të partive politike” nga lista e subjekteve që regjistrojnë kandidatë sipas nenit 68 do të thotë, se nuk ka më bazë kushtetuese për parashikimin e tyre në ligjin zgjedhor;
2. Relacioni shoqërues i projektligjit flet qartazi për ndalim të koalicioneve parazgjedhore, duke zbuluar kështu qëllimin që ndiqet me amendamentin.

Së pari: Në vlerësimin tonë “ometimi” nuk do të thotë automatikisht “ndalim”. Nëse do shihej kështu, atëherë do të konkludohej njëkohësisht se heqja e fjalëve “nuk lejohen koalicionet parazgjedhore” nga teksti i amendamentit fillestar do të thotë “lejim”. Në fakt as njera dhe as tjetra nuk janë automatikisht të vërteta.

Për të kuptuar efektin e dispozitës analiza duhet të bëhet më e plotë se kaq.

Dispozita ka një lëndë të përcaktuar qartë dhe kjo lëndë ka lidhje me regjistrimin e kandidatëve, jo me përcaktimin e subjekteve zgjedhore. Formulimi i dispozitës liston subjektet që lejohet të regjistrojnë kandidatë. Këto janë zgjedhësit dhe partitë politike. Një koalicion zgjedhor përbëhet nga dy ose më shumë parti politike. Në këndvështrim sintaksor, dispozita nuk pengon dy ose më shumë parti politike që të regjistrojnë kandidatë, d.m.th. nuk pengon një koalicion zgjedhor të regjistrojë kandidatë.

Sa kohë që “rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet” është ky ligj i cili mund të kufizojë ose zgjerojë listën e subjekteve regjistrues, nëpërmjet rregullave për regjistrimin. Pa marrë në konsideratë këto rregulla nuk mund të dilet në konkluzionin se nuk lejohen koalicionet të regjistrojnë kandidatë.

Së dyti: neni në fuqi nuk ka një dispozitë që trajton të drejtën e subjekteve konkurruese në garë për të formuar koalicione parazgjedhore. Formulimi i amendamentit sipas nismës “Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore” nuk është futur për të modifikuar një fjali të caktuar të nenit ekzistues. Ai amendament ishte amendament shtesë në tekstin e nenit dhe u rrëzua gjatë shqyrtimit dhe diskutimit në Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin e Ligjeve. Kjo do të thotë se ndalimi i koalicioneve parazgjedhore nuk e kaloi dot testin e vlerësimit. Me formulimin e kompromisit mund të thuhet se amendamentet kushtetuese nuk bëjnë vetë dhe as nuk urdhërojnë ndalimin e koalicioneve zgjedhore nga ligji. Deri në këtë pikë ku jemi dhe pa marrë në konsideratë amendamentet që mund t’i bëhen ligjit zgjedhor, nuk mund të pretendohet se amendamentet kushtetuese ndalojnë koalicionet parazgjedhore.

Sa i takon argumentit lidhur me Relacionin duhet thënë se relacioni ka vlerë kur bëhet interpretimi historik ose shkencor i një dispozite. Por po kaq vlerë ka dhe debati në Këshill, Komision dhe Kuvend. Relacioni është burim informacioni i barazvlefshëm dhe komplementar me procesverbalin e mbledhjes. Debati në Këshill dhe Komision lidhur me këtë çështje ofron referenca të plota për të mbështetur argumentin e mosndalimit të koalicioneve. Ai debat çoi në vendimin e kompromisit për të hequr fjalinë “nuk lejohen koalicionet parazgjedhore”.

Gjatë atij debati janë shprehur rezerva për formulën aktuale të koalicioneve, si përsa i përket përputhshmërisë së saj me votimin e hapur, ashtu dhe përsa i përket kushtetueshmërisë së saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb