Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur edhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka kërkuar dorëheqjen e Kurtit.

Kurti ka thënë se “opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë shkarkimin tim e herë kërkojnë zgjedhje të parakohshme”.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk i leverdisin as qeverisë as opozitës. Opozitës nuk i leverdisin se humb, e qeverisë nuk i leverdisin zgjedhjet sepse zhduket opozita”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se “unë jam i interesuar që ta mundim në zgjedhje opozitën e jo ta zhdukim”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti, dhe mandatin t’ia kthejë popullit.

“Situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkojnë reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij. Ai duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli. Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyes popullin se çka mendon për veprimet e tij. Në demokraci zgjedhjet janë përgjigja më e mirë”, ka deklaruar Haradinaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb