PRISHTINE – Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpalosur idenë e tij për zhvillimin e partisë, duke iu shpallur luftë të gjithë atyre që kanë bërë krime, kanë vendosur haraç e fajde. Sipas tij, secili që ka bërë veprime të tilla duhet të shkojë në burg.

“Largoni këmbët e duart larg nga zyrat e strukturat e Aleancës. Nuk na duhet vota juaj, nuk na duhet vota e kriminelëve”, ka thënë Haradinaj, në takimin me zyrtarët e Aleancës, citon Gazeta Express.

Lexoni të plotë fjalimin e Haradinajt

Të nderuar miq,
Sot zhvilluam takimin me strukturat e përgjithshme drejtuese të AAK-së. Aleanca nuk do të jetë më e njëjtë, duke më përfshirë edhe mua. Kam bërë gabime në politikë. Por, do të reformohemi dhe do të ndryshojmë. Fuqishëm dhe pandalshëm. Ky ndryshim do të jetë i plotë: Reformë e politikave dhe reformë organizative.

Ne e vlerësojmë mbështetjen e qytetarëve që na është dhënë për 15 vjet me radhë. Do të angazhohemi për të ndërtuar një momentum të ri. Do të përgatitemi intensivisht për të merituar besimin të plotë dhe të fuqishëm të qytetarëve.

Do të fillojmë menjëherë me punë për të ndërtuar një forcë politike për të gjithë qytetarët e Kosovës, ngado që janë, të të dy gjinive, të të gjitha moshave, të të gjitha profesioneve.

Do ta intensifikojmë qysh tash angazhimin për të ndërtuar ekipin e ri. Kërkoj angazhimin tuaj. Të të gjithëve. Të seciles dhe secilit që ka vendosmëri për të sjellë ndryshimin e vërtetë.

Ne do të ndërtojmë Aleancën e të gjithë qytetarëve të ndershëm dhe të përkushtuar për jetë të mirë. Të të gjithë atyre grave e burrave të Kosovës që besojnë në demokraci, shtet ligjor dhe funksionim të shtetit.

Po ju them krejt publikisht:

– Aleanca nuk ka vend për asnjë shkelës të ligjit.
– Aleanca nuk ka vend për gangsterë që përfitojnë në emër tonin e të Aleancës.
– Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.
– Aleanca i shpallë të përjashtuar qysh sot këdo që ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo buxhetin qoftë në nivel komunal, qoftë në nivele tjera.
– Për Aleancën, kushdo jashtë strukturës apo brenda strukturës së Aleancës, që mënyrë të jetës e ka haraçin dhe fajdet është kriminel dhe duhet të shkojë në burg.

Po u them sot të gjithë njerëzve të tillë publikisht:

Largoni këmbët e duart larg nga zyrat e strukturat e Aleancës. Nuk na duhet vota juaj, nuk na duhet vota e kriminelëve!

Harrojeni, kushdo që jeni, se mund të silleni me papërgjegjësi para qytetarëve e duke u thirrë në emër të Aleancës. Kushdo, ama kushdo që sillet ashtu, nuk është Aleancë. Nuk ka qenë kurrë Aleancë dhe nuk do ta lejojmë afër nesh.

Personat e tillë duhet ta kenë vendin në burg, jo në Aleancë dhe askund nëpër parti politike. Fatkeqësia është se shteti nuk po funksion, sepse përndryshe të papërgjegjshmit dhe gangsterët do të përballeshin me ligjin!

Po ju them qartë dhe prerë:

Aleanca nuk është streha e profiterëve. Asnjëherë nuk ka qenë, por ndoshta ndokush edhe brenda strukturave të Aleancës nuk e ka kuptuar këtë!

Përkundrazi:

– Aleanca po përgatitet për të ndryshuar Kosovën, por së pari do ta ndryshojmë veten.
– Po e hapim partinë për intelektualë, për profesorë e aktivistë të shoqërisë civile.
– Po e hapim partinë për nivelin më të lartë të dijes në Kosovë.
– Po e hapim partinë për të gjithë.

Anëtari i Aleancës duhet të jetë:

– I ndershëm
– I pakorruptuar
– I sinqertë
– I arsimuar dhe kompetent
– I gatshëm për të shërbyer për popullin.

Ky është anëtari apo anëtarja e Aleancës. Dhe, të tillë Kosova ka shumë. Qytetarët e Kosovës janë të mirë, të ndershëm, punëtorë. E tillë do të jetë Aleanca e Ndryshimit. E mirë, e ndershme, punëtore.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: