TIRANE-Projektbuxheti për vitin 2015 është një buxhet i thellimit të varfërisë dhe papunësisë. Vendi me këtë qeverisje, shkon drejt mjerimit. Nuk do të ketë asnjë trend për vende të reja të punës. Ky nuk është një buxhet zhvillimor dhe Kosova do të qëndrojë në vend në aspektin e zhvillimit ekonomik.

Kështu pohoi deputeti nga radhët e AAK-së, njëherësh dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2015.

Sipas KosovaPress, Haradinaj tha se me këtë buxhet nuk pritet asnjë investim serioz në rritjen e kapaciteteve ekonomike në vend. Nuk ka parashikuar reformë fiskale për krijimin e klimës së biznesit dhe thithjen e investimeve.
Megjithëse me këtë projektbuxhet, është parashikuar rritje ekonomike prej 4.3 për qind, Haradinaj thotë se edhe pse kjo rritje nuk është e besueshme, kjo nuk e ulë papunësinë dhe varfërinë. Ky projektbuxhet, sipas tij, nuk duhet të miratohet por duhet të ribëhet dhe diskutohet në Parlament.

Ai tha se koalicioni ka kapacitetin të ndikojë në gjendjen ekonomike në vend, duke i ndryshuar politikat fiskale si kalimi në taksën e sheshtë dhe reduktimi i Qeverisë së Kosovës në 10 ministri.

“Meqenëse po krijoni një Qeveri të madhe, ju mund ta përgatisni një ligj për Qeverinë, duke e reduktuar në 10 ministri, për të reduktuar numrin e zyrtarëve politik dhe për të dhënë një mesazh që një taksë e sheshtë dhe një qeveri racionale, japin shpresë për ndryshim”, tha Haradinaj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: