Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dërguar një letër urimi për Presidentin e ri të SHBA, Joe Biden.

Haradinaj i bën me dije Biden se në Kosovë zgjedhja e tij ka sjellë një shpresë të re për vendin, pasi emri i tij është i lidhur ngushtë me historinë e shtetit të ri dhe shqiptarët nuk do e harrojnë kurrë çfarë bëri Biden për Kosovën.

Ai thotë se tashmë Kosova nuk ka vetëm një aleat, por një mik të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë. Haradinaj mirëpret Biden-in në Kosovë teksa shton se është i bindur që së bashku mund të shkruajnë edhe kapitullin e së ardhmen.

 

STATUSI NGA RAMUSH HARADINAJ

Sot i kam nisur Presidentit Joe Biden, një letër urimi me rastin e inaugurimit të tij, si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më poshtë gjeni letrën e përkthyer në gjuhën shqipe:

I nderuar z. President,

Miku im i dashur!

Urimet e mia më të përzemërta për inaugurimin tuaj si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Qytetarët amerikanë kanë besuar në vizionin dhe udhëheqjen tuaj. Njëjtë edhe shumë vende në të gjithë botën, veçanërisht në Ballkan.

Në Kosovë zgjedhja juaj solli një shpresë të re për perspektivën e vendit tonë, pasi çdo qytetar është i vetëdijshëm dhe mirënjohës për kontributin tuaj të madh në lirinë dhe sovranitetin tonë. Emri juaj është i lidhur ngushtë me historinë e shtetit tonë të ri dhe shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë atë që keni bërë për Kosovën. Siç e dini, mosmarrëveshjet tona me Serbinë tani kanë kaluar në nivel diplomatik por ende nuk janë zgjidhur. Si shtet ne po punojmë pandalë tash e shumë vite për të realizuar aspiratën tonë që të jemi shtet plotësisht i njohur dhe anëtar i respektuar në NATO, BE dhe OKB. Me këto sfida para, është mirë të dimë, se Kosova tani, nuk ka vetëm një aleat, por një mik të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë dhe njerëzit tanë janë të sigurt në mbështetjen tuaj.

Në zgjedhjet tona të ardhshme parlamentare më 14 Shkurt, unë kam paraqitur kandidaturën time për President të Kosovës. Si Kosovë, ne jemi të nderuar t’ju mirëpresim në vendin tonë, ku ju z. President tashmë jeni pjesë e historisë dhe unë kam besim dhe jam optimist se së bashku do ta shkruajmë edhe kapitullin për të ardhmen e Kosovës.

Për mandatin tuaj të parë si President i Shteteve të Bashkuara ju bekoftë Zoti, fat dhe sukses.

Sinqerisht,

Ramush Haradinaj

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb