TIRANË- Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi sot se në fund të vitit do të hiqen kufijtë mes Shqipërisë e Kosovës.

Haradinaj tha në “Opinion” se kufiri mes dy vendeve me shqiptarë ka krijuar pengesa e shqetësime duke shprehur vullnetin për heqjen e tyre.

“Nga ndërrimi i viteve nuk do të ketë më barrikadë fizike në kufirin Kosovë –Shqipëri. E kemi biseduar me Kryeministrin Rama dhe me kolegë të tjerë, që diku në ndërrim të moteve të hapet. Do të ketë kamera. Do të ketë një monitorim, por nuk do të ketë barrikadë fizike, jo prezencë fizike të kontrollit”, tha kryeministri i Kosovës.

Haradinaj foli edhe për çështjen e korrigjimit të kufijve me Serbinë, duke deklaruar edhe njëherë qëndrimin kundër. Sipas tij, deklaratat se Presheva e Bujanovci do t’i bashkohen Kosovës janë vetëm fjalë dhe qëllimi i vetëm është grabitja e veriut.

“Të gjitha këto që kanë ndodhur, nuk më lejojnë të mendoj se presidenti Thaçi e ka menduar si një projekt serioz. Unë mendoj se është një taktikë politike e tij.
Ne respektojmë vlerat e serbëve të Kosovës. Përkundër të kaluarës tonë tragjike. Ne nuk do shkojmë tek zgjidhja deri tek korrigjimet në territor. Ne nuk e hapin të kaluarën tonë. Nuk ka kthim pas, edhe vendet që nuk na njohin, vitin që vjen, këto vende do të na njohin. Ne do të luftojmë për t’u bërë anëtarë të NATO-s. Kufiri nuk do ndryshojë. Ne nuk do të lejojmë të preken kufijtë tanë”, tha i prerë kryeministri i Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb