Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës dyditore në Vatikan, është pritur në Audiencën e Mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi Atin e Shenjtë për zhvillimet politike në Kosovë, rrugën evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar faktin se Kosova është shembull për bashkëjetesën mes popujve dhe tolerancën fetare.

“Kosova është shembull i tolerancës fetare dhe i promovimit të paqes. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin. Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut i shpreha përkushtimin e qytetarëve tanë, që vlerat shpirtërore dhe demokratike t’i ruajmë e kultivojmë, në frymën e për të mirën përbashkët”, tha Haradinaj.

Papa-Haradinaj 2

Kryeministri vlerësoi pritjen që iu bë nga Papa Françesku, duke thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetë mirënjohës Vatikanit për mbështetjen e dhënë gjatë dekadave të fundit, e po ashtu shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për një partneritet strategjik me Vatikanin.

“Vizita ime në Vatikan dhe takimi me Papa Françeskun është nder i madh për mua dhe popullin e Kosovës. E shfrytëzova këtë nder për të përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat më të mira të popullit të Kosovës për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, për Selinë e Shenjtë, pra për Vatikanin dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin”, tha Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ka përcjellë Atit të Shenjtë, një dhuratë nga populli i Kosovës, një letër–kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.

“Më bëri përshtypje se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ishte vërtetë njerëzor, me ngrohtësi të jashtëzakonshme, tha se ‘E kam në zemër popullin e Kosovës’”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar lartë pritjen që i është në Vatikan, kryeministri Haradinaj theksoi se trajtimi dhe pritja me aq respekt, është dëshmi për thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Ai e dha bekimin, për Kosovën, një bekim që ishte prekës jo vetëm për mua, por për të gjithë ne, një ndjenjë e veçantë. U ndjeva i nderuar dhe vërtetë jam ndjerë i respektuar sot”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Papa-Haradinaj 3

Kryeministri Haradinaj u shpreh i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë.

“Ne e kemi me shumë rëndësi këtë marrëdhënie. Vatikani, po ashtu Selia e Shenjtë është anëtare në plotë organizata ndërkombëtare, sikurse e Interpolit dhe organizatat tjera. Jam thellë i bindur që në rrugëtimin tonë si Kosovë, do të na ndjenë. Jam i bindur që Selia e Shenjtë do ta ndjenë Kosovën”, ta kryeministri Haradinaj.

Takimi me Papa Françesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb