TIRANË

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një statusi të shpërndarë në rrjetet sociale ka njoftuar se  ka patur sot një takim të rëndësishëm me funksionarin politik nga Gjermania.

Kreu i qeverisë kosovare në takimin miqësor të zhvilluar sot në Kosovë me sekretarit parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer përçoi mesazhe falënderuese për ndihmën që Gjermania i ka dhënë shtetit të Kosovës.

“Kosova është me fat që në rrugën e saj të shtetndërtimit ka pasur në krah partner si Gjermania dhe ne jemi të përkushtuar që të avancojmë raportet tona bilaterale. Këtë qëndrim të Kosovës ia rikonfirmova sekretarit parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer, të cilin pata nderin ta pres sot në takim.

Mikun nga Gjermania e informova për të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi, për përmbushjen e të gjitha kritereve nga BE në procesin e liberalizimit të vizave, progresin në sundimin e rendit dhe ligjit, në fushën e ekonomisë dhe në fusha të tjera të rëndësishme për vendin. Agjenda euroatlantike e vendit, mbetet prioritet i Qeverisë dhe në këtë rrugëtim kërkova mbështetjen e shtetit gjerman”,  shkruan Haradinaj.

(n.m/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb