Pas lajmit se Kosova do të mungojë në panelin e liderëve të Ballkanit Perëndimor ose në takimin e radhës për Minishengenin, ka reaguar Kryeministria shqiptare.

Në një ‘sqarim’ për mediat, zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama thotë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si edhe faktin që në Kosovë nuk është formuar ende qeveria e re, është ftuar në këtë takim Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

“Nisur nga një deklaratë e bërë nga kryeministri i dorëhequr i Kosovës sqarojmë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si edhe faktin që në Kosove ende nuk është formuar qeveria e re, Kosova është ftuar në nivelin më të lartë njësoj si në takimin e Ohrit, përmes ftesës drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, thuhet në reagimin e Zyrës së shtypit të Kryeministrit të Shqipërisë.

Ndërkohë sot drejtoresha e zyrës për komunikim me publikun në qeverisë e Kosovës Donjeta Gashit, deklaroi se kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka ndryshuar qëndrim, duke e cilësuar minishengenin, një nismë të dëmshme për Kosovën.

“Qëndrimi i Kryeministrit në detyrë Haradinaj sa i përket temave që janë trajtuar në takime të tilla, siç është rasti i Minishengenit, tashmë janë të qarta. E ardhmja e vendit është në BE dhe aspirata e Kosovës është lëvizja e lirë në themelet e frymës demokratike të familjes europiane. Çdo përpjekje tjetër nga kushdo, nuk është në të mirë të Kosovës dhe si e tillë nuk përkrahet”, tha Gashi.
Kosova ka munguar në dy takimet e mëparshme, atë të Novi Sadit më 10 tetor dhe atë në Ohër, më 10 nëntor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb