Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar kandidaturën e tij për presidentin e Kosovës.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit ai është numri 1 si bartës i listës së AAK-së, e cila ka publikuar edhe programin qeverisës. Haradinaj ka sqaruar arsyet që e shtyjnë̈ drejt postit të të parit të vendit.
Haradinaj tashmë ka dhënë arsyet kryesore pse kërkon që të vijë në krye të Presidencës.

Ai ka thënë se Kosova ndodhet në një udhëkryq, dhe se prioritet i tij do të jetë siguria. Natyrshëm, sepse siguria ishte sektori ku ai u angazhua më së shumti edhe si Kryeministër. Gjatë kohës së tij, pas përpjekjeve të shumta, FSK u bë Ushtri e Kosovës. Këtë punë Haradinaj e kishte kryer bashkë me zyrtarët më të lartë të Pentagonit, ndonëse kishte kundërshtime edhe në NATO dhe procesi ishte goxha i ndërlikuar. Por, ushtria nuk mjafton, thotë tani Haradinaj – duke shprehur ambicien e qartë që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet anëtare me të drejta të plota në Aleancën Veriatlantike NATO. Duke qenë një njohës i mirë i aspektit të sigurisë dhe ushtrisë, Haradinaj ka shprehur besimin e tij që viti 2025 nuk duhet ta zë Kosovën jashtë NATO-s.

“Lidhja me NATO-n është adresa jonë e parë. Aty është siguria”, thotë Haradinaj. Ai ka shprehur bindjen se Kosova duhet ta rris ushtrinë e saj, ta forcojë dhe ta armatosë. Një arsye tjetër pse Haradinaj e konsideron veten të rëndësishëm për presidencë, është edhe situata me Serbinë dhe fragjiliteti politik në Kosovë, pas arrestimeve nga Specialja dhe paqëndrueshmëria politike, me zgjedhje të shpeshta e me rënie të shpejta të qeverive. AAK, partia e Haradinajt, thotë se Serbisë i duhet përballë një president që ka histori të fortë sikur të tijën, me të kaluar në UÇK e me përvojë në institucione siç është ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb