Kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar Sekretarin e ri të shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo me rastin e marrjes së detyrës së re.

Haradinaj ka rikujtuar takimin me Pompeon në shkurt dhe zotohet për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit. Ai e përgëzon për Sekretarin e ri të SHBA-ve për lidershipin në fuqizimin e paqes dhe sigurisë globale për të gjithë kombet paqedashëse.

“Duke kujtuar takimin tonë në muajin shkurt, i përcolla urimet më të mira të qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës për progres të vazhdueshëm të SHBA-së”, thotë mes tjerash Haradinaj.

“I nderuar Sekretar Pompeo, kam nderin dhe privilegjin që në emrin tim personal dhe në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, të shpreh urimin tim më të sinqertë me rastin e emërimit tuaj si Sekretar i Shtetit i SHBA-ve.
Dëshiroj t’ju përgëzoj për lidershipin tuaj në fuqizimin e paqes dhe sigurisë globale për të gjithë kombet paqedashëse. Gjithashtu, kontributi juaj i madh në ndërtimin e partneritetit të përhershëm mes popujve tanë është shembull i një vizioni të fuqishëm, i cili, besoj, do të vazhdojë edhe me rastin e angazhimit tuaj në detyrën e re.
Duke kujtuar takimin tonë në muajin shkurt në zyrën tuaj, Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale dhe dëshiroj të konfirmoj zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy shteteve tona. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka qenë ithtare e madhe e pavarësisë së Kosovës, fuqizimit të shtetësisë së saj, dhe të avancimit të aspiratave të saj drejt forumeve ndërkombëtare.
Ju përcjell urimet më të mira të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës për prosperitetin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara, dhe shfrytëzoj këtë rast të shpreh edhe një here konsideratën time më të lartë. I juaji sinqerisht, Ramush Haradinaj Kryeministër i Republikës së Kosovës”, thuhet në telegramin e urimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb