TIRANË-Debati për informacionin dhe komentet në portalet online, dje në emisionin e Blendi Fevziut, ‘Opinion’ kanë sjellë një përplasje mes ministres së Inovacionit, Milena Harito dhe gazetarit Cim Peka. Për të shpjeguar ligjin ekzistues, ministrja e Inovacionit iu drejtua gazetarit Çim Peka me ironi: “Ja ky ligj është që në 2009-ën, e ka bërë qeveria juaj”.
Por shprehja “qeveria juaj” duket se ‘i dogji’ Pekës i cili shpërtheu në kundër akuza.
“Po çfarë qeveria ime, cfarë po thua, më thuaj kam pasur ndonjë qeveri unë”, ulërinte gazetari përballë Milena Haritos.
“Ligji i 2009. Po vëllai juaj ka qenë zv. ministër i qeverisë së Saliut, për këtë e kisha”, u mundua të sqarojë me qetësi Harito.
Kaq mjaftoi që Peka t’i hakërrehet ministres duke i kujtuar etikën dhe postin që ajo drejton në raport me mendësinë dhe argumentin.
Por, mbi të gjitha nisur nga etiketimi i Haritos për lidhjet e tij familjare me qeverinë e shkuar, gazetari Peka i kujtoi lidhjet që ministrja ka me Enver Hoxhën duke shtuar se ajo nuk duhet të ishte fare në atë post.
“Qetësohu, ruaje qetësinë”, i tha disa herë Harito, por nuk qetësohej Peka.

Debati
Peka – ministres: Na e nxirr me çfarë normale evropiane
Harito: Ja mund t’ju them ligjin e 2009 që është i qeverisë suaj.
Peka: Të qeverisë së kujt.
Peka: Nëse ke ardhur të jesh serioze si ministre dhe pastaj kërkon dinjitet për gruan. Unë kur kam qenë në qeveri? Nëse ke ardhur të flasësh si Rama, fol si Rama, nëse do të merresh me etikën e grave, ik fol me Ramën një herë. Më flisni me ju. Më sqaro kur kam qenë në qeveri.
Harito: Të lutem të ruajmë numrin shumës, unë ju flas me ju, dhe ju më flisni me ju. Në ligjin e vitit 2009 në qeverinë Berisha.
Peka: Po unë çlidhje kam me qeverinë Berisha.
Harito: Në mos gaboj vëllai juaj ka qenë zëvëndësministër.
Peka: Po unë cfarë lidhje kam këtu..
Harito: Nuk ka ndonjë lidhje të madhe vetëm kaq sa thashë.
Peka: Atëherë po të hysh me lidhje familjare ti je Enver Hoxhës, çdo këtu duhet të vije turp, dhe kërkon dinjitet. Shiko me ç’gjuhë flet dhe kjo është ministre, dhe kjo do bëjë ligjin për etikën dhe për mbrojtjen e medias
Harito: Të kthehemi tek thelbi.
Peka: Ti gënjen sa nis emisioni. Jo kthehu tek Enver Hoxha, është turp me këta ministra. Ti thua në kohën e qeverisë suaj, pastaj thua ke pas vëllain zv.ministër. Në këtë kontekst ti je e Enver Hoxhës zonjë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: