Tottenham është futur përsëri në shinat e pretendimeve, të paktën për një vend në Champions League. Pas një barazimi dhe një humbje, Spurs fituan bindshëm 0-4 në transfertë ndaj Crystal Palace.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa vetëm në pjesën e dytë miqtë u zhbllokuan për të marrë një tripikësh me shumë vlera. Harry Kane u bë protagonist absolut, me sulmuesin anglez që shënoi dy golat e parë, fillimisht në minutën e 48-të dhe të dytin pas 5 minutash, duke çliruar Conten në stol dhe skuadrën.

Me këtë dygolësh, Kane barazon rekordin e veçantë të vendosur nga Teddy Sheringham. Sulmuesi i Spurs bëhet futbollisti i dytë në Angli që realizon gol në ndeshjen e 100-të, 200-të dhe 300-të në Premier League. Sfida ndaj Palace, në derbin londinez, ishte ndeshja e 300-të e 29-vjeçarit.

Harry Kane, pas dygolëshit ndaj Crystal Palace, arrin kuotën e 198 golave në Premier dhe shumë shpejt mund të bëhet golashënuesi i dytë më i suksesshëm në Angli. Të besuarit e Antonio Contes nuk e ulën ritmin, duke shënuar edhe dy gola të tjerë. Doherty realizoi për 0-3 në minutën e 68-të, ndërsa dhe Son në 72’ mbyll serinë e golave.

Tottenham mbetet në vendin e pestë, por vetëm 2 pikë larg vendit të tretë dhe të katërt. Një fitore po kaq të rëndësishme regjistroi edhe Nottingham Forest. Të sapongjiturit në Premier League shënuan suksesin e parë në transfertë duke mundur 0-1 Southampton. Takimi mes Leeds United dhe West Ham prodhoi katër gola, por sfida u mbyll në barazim 2-2. “Paqe” edhe mes Aston Villës dhe Wolves, me takimin që u mbyll 1-1.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb