TIRANË

U prezantua sot në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Tiranë, videoja e vendeve të vuajtjeve të dënimit në Shqipërinë komuniste. Një video e realizuar nga fondacioni kujto.al me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung, që përmbeldh në 16 minuta hartën e mbjellë me burgje, kampe internimi dhe kampe pune të detyruar në 46 vite.

“Është tepër e rëndësishme të kemi informacion për këto vende, ku janë kryer këto krime. Megjithëse Shqipëria është një vend i vogël, ne pamë në këtë dokumentar një listë të gjatë të vendeve të vuajtjes”, u shpreh drejtori i KAS Albania, Tobias Rüttershoff, pas video-prezantimit. “Kur shohim këtë video ku numërohen burgjet dhe kampet e panumërta kuptohet sa punë mbetet për t’u bërë në zbulimin e këtyre krimeve. Dhe për ne është një çështje e rëndësishme që dhe të rinjtë ta marrin këtë informacion që këto krime mos të ndodhin më”, shtoi ai.

Rëndësinë e prezantimit të vendeve të vuajtjes në një format modern, tërheqës për të rinjtë dhe studentët, si në këtë video, e theksoi edhe pedagogu i Departamentit të Historisë, Andi Pinari gjatë fjalës së tij.

Video-prezantimi i hartës së vendeve të vuajtjes, është një nga realizimet e fondacionit kujto.al, të themeluar nga Agron Shehaj para tre vitesh. “Kujto.al në nismën e saj ka dashur të ketë publikun partner. Në më pak se tre vjet që nga themelimi, kujto.al ka mbledhur qindra dëshmi, ka krijuar një arkiv me mbi 40 mijë njerëz që kanë vajtur, qindra familjarë na shkruajnë për të përditësuar profilet e të afërmëve të tyre”, tha studiuesi Erald Kapri, pjesë e kujto.al.

Aktiviteti u zhvillua në 29-vjetorin e shembjes së shtatores së Enver Hoxhës në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, të organizuara nga KAS Albania dhe IDMC. Në të ishin të pranishëm veç studentëve dhe përfaqësuesve të institucioneve që merren me të kaluarën komuniste, edhe princ Leka II dhe shqiptaro-amerikani Marko Kepi, themelues i “Albanian Roots”. Të pranishmit ndanë idenë që Shqipëria, është ende në hapat e parë të përballjes me të kaluarën, një kusht i domosdoshëm për një të ardhme më premtuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: