Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula u shpreh sot se mbyllja e gjykatave në të gjithë vendin prej hartës së re gjyqësore bëhet për shkak të mungesës së gjyqtarëve. 

Duke folur në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve i cili zhvilloi një seancë dëgjimore me institucionet e drejtësisë për hartën e re gjyqësore, deputeti demokrat tha se miliarda lekë të investuara deri tani do të hidhen dëm. 

“Ku fut duart politika do ketë gjithmonë probleme. Ne po e pranojmë të gjithë këtu që reforma në Drejtësi ka problematika ka ndoshta për momentin është e dështuar për mënyrën se si ka funksionuar. Profesor Haxhiaj e tha saktë që definicioni i KLGJ ishte që ne po e bëjmë hartën e re gjyqësore për një arsye thelbësore dhe të vetme: për shkak të mungesës së numrit të gjyqtarëve sot në sistemin e drejtësisë”, tha Sula. 

Sipas tij “Kjo hartë gjyqësore, siç ka ndodhur edhe më parë Preng Martinit, tani do jetë gjykata e Apelit e X. Politika sot artikulon që ne Shqipërinë e kemi në katër rajone dhe ligji i vitit 2016 i ka kriteret ligjore për të pasur 4 gjykata apeli në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë. Janë investuar miliarda lekë nga buxheti i shtetit. Në Shkodër u investuan mbi 1 miliardë lekë dhe sot do të ngelë një godinë bosh. Ministri i Drejtësisë tha që nëse do jetë e nevojshme jemi gati ti hapim degët. Pra ne po i prishim njëherë dhe më pas i kthehemi nga e para. Ti themi gjërat qartë: kjo reformë ka problematikën e vet. Por kjo nuk do të thotë që të gabojmë më tej. Duhet të tregohemi të kujdesshëm”. 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: