Deputetja e LSI, Erisa Xhixho ka kritikuar vendimin për krijimin e një Harte të re të Gjyqësorit, duke theksuar në një postim ne Facebok se ajo “është në kundërshtim flagrant me rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian më 19 maj”.

Për të shpjeguar kundërshtimin e saj, Xhixho i referohet Parlamentit Europian në rezolutën e të cilit thuhet: “Reforma e sistemit gjyqësor sipas Hartës së Re të Gjyqësorit duhet të marrë në konsideratë opinionet e palëve të interesuara dhe kushtet socio-ekonomike të grupeve vulnerabël dhe të përmirësojë aksesin në drejtësi dhe procesin e duhur ligjor”.

POSTIMI I XHIXHOS:

Mbyllja e 18 gjykatave të vendit është një vendimarrje, e cila nuk ka marrë aspak për bazë sugjerimet e Dhomës së Avokatisë apo qytetarëve që përballen çdo ditë me dyert e drejtësisë. Duke bërë gjoja tryeza e dëgjesa, në fund është vendosur duke injoruar opinionin e ekspertëve.

Harta e Re Gjyqësore cenon rëndë të drejtën per proces të rregullt, të shpejtë dhe të drejtë ligjor.

Mijëra qytetarë do të detyrohen të udhëtojnë me orë të tëra në përpjekje për të vënë në vend të drejtën e tyre. Kohë dhe shpenzime të shtuara për një vend, ku sipas të dhënave të INSTAT, 49% e popullsisë jeton në minimumin jetik.

Harta e Re Gjyqësore nuk zgjidh problemin shumëvjeçar të dosjeve që presin me vite për t’u shqyrtuar, duke e tejzgjatur kohën e zvarritjes së proceseve gjyqësore.

Nga 6 gjykata Apeli, qytetarët shqiptarë që kërkojnë drejtësi në shkallën e dytë të gjyqësorit do t’i drejtohen Apelit të Tiranës. Drejtësia për ta do të vonojë dhe do ketë kosto të shtuara, sidomos për kategori të veçanta sociale si minoriteti rom dhe egjiptian, gratë në nevojë, të rinjtë dhe të miturit, pensionistët .

Bojkoti i Dhomës së Avokatisë mund të çojë në kolaps sistemin, ndaj duhet urgjentisht që Qeveria të ulet me Dhomën e Avokatisë, ekspertët që njohin realitetin e sistemit, të diskutojnë objektivisht për zgjidhje që kanë në qendër qytetarin dhe jo interesat e një grushti njerëzish.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb