Më 24 prill, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi projekt-aktin për transferimin e përhershëm të tridhjetë prokurorëve si pasojë e zbatimit të hartës së re gjyqësore.

Mes prokurorëve të transferuar figurojnë edhe dy anëtaret e KLP-së, Esmeralda Keshi dhe Eloida Goxhi, të cilat me vendim të kolegëve të tyre në Këshill do ta ushtrojnë detyrën në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, pavarësisht se ligji për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” u ndalon atyre procedurat e lëvizjes paralele deri në tre vjet pas mbarimit të mandatit.

Ky përjashtim ligjor synonte të shmangte konfliktin e interesit në vendimarrjet e këshillave në sistemin e drejtësisë.

Esmeralda Keshi ushtronte detyrën e drejtueses së Prokurorisë së Dibrës kur u zgjodh anëtare e KLP-së, ndërsa Eloida Goxhi drejtonte Prokurorinë e Rrethit të Beratit.

Ndonëse sipas ligjit ato duhej të riktheheshin në pozicionet e tyre të mëparshme pas mbarimit të mandatit në KLP, me votat e nëntë kolegëve të Këshillit kanë siguruar secila nga një vend në Prokurorinë e Tiranës, kohë përpara se t’u përfundojë mandati.

E pyetur nga BIRN për këtë vendimarrje, Esmeralda Keshi kërkoi që pyetja t’i drejtohej Këshillit të Lartë të Prokurorisë “ që të mbajë qëndrim zyrtar dhe të sqarohet vendimarrja”. Kryetari i KLP, Alfred Balla dhe anëtarja tjetër Eloida Goxhi ishin të paaritshëm për koment.

Vendimi i KLP-së për transferimet e përhershme pa pëlqim ka shkaktuar reaksion dhe është kundërshtuar nga një grup prokurorësh të shkallës së parë, të cilët e konsiderojnë vendimin në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë, barazisë, objektivitetit dhe transparencës në zhvillimin e karrierës së prokurorëve.

Përmes një ankese drejtuar KLP-së të parë nga BIRN, prokurorët thonë se presin një proces të drejtë të zhvillimit në karrierë, nëpërmjet mekanizmave ligjorë të lëvizjeve paralele dhe rotacioneve periodike.

Në reagim, prokurorët shprehen se bllokimi për një kohë të gjatë i vendeve vakante në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm të cilësuara si zyra karriere, ato të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, si dhe zënia e një pjesë të tyre nëpërmjet procedurave të tilla ai ajo e vendimarrjes së të hënës, vendos në pozita të pabarabarta dhe dekurajuese prokurorët.

Ata e vlerësojnë si të domosdoshme nisjen sa më shpejt të procedurave të lëvizjeve paralele për të gjithë pozicionet vakante në sistemin e prokurorisë, në përputhje me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është i vetmi që vendosi të transferojë në Tiranë dy anëtaret e veta, në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Më 31 janar 2023, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me votë unanime të anëtarëve të pranishëm që të transferonte anëtaren e vet, Marçela Shehu, nga Gjykata e Kurbinit në atë të Tiranës – e cila konsiderohet gjithashtu një gjykatë karriere.

KLGJ pretendoi se nuk kishte vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, por se kishte bërë ‘transferim të detyruar’ të gjyqtares Shehu nga Kurbini në Tiranë, për shkak se ajo gjendej jashtë strukturës organizative të gjykatës ku ishte emëruar./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: