Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot se harta e re gjyqësore që ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, ka kufizuar aksesin në drejtësi dhe po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt.

Xhixho tha se kjo hartë bie në kundërshtim me Rezolutën e Parlamentit Europian që u miratua në 19 maj 2022 që shprehte shumë qartë se reforma e sistemit gjyqësor sipas Hartës së Re të Gjyqësorit duhet të marrë në konsideratë opinionet e palëve të interesuara dhe kushtet socio-ekonomike të grupeve vulnerabël dhe të përmirësojë aksesin në drejtësi dhe procesin e duhur ligjor.

DEKLARATA E PLOTË
Harta e re gjyqësore që ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, pavarësisht kundërshtisë së Dhomës së Avokatëve, ekspertëve dhe qytetarëve, ka kufizuar aksesin në drejtësi dhe po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për proces të rregullt, të shpejtë dhe të drejtë ligjor.

Kjo hartë bie në kundërshtim me Rezolutën e Parlamentit Europian që u miratua në 19 maj 2022 që shprehte shumë qartë se;
“Reforma e sistemit gjyqësor sipas Hartës së Re të Gjyqësorit duhet të marrë në konsideratë opinionet e palëve të interesuara dhe kushtet socio-ekonomike të grupeve vulnerabël dhe të përmirësojë aksesin në drejtësi dhe procesin e duhur ligjor;
Përpilimi i kësaj Harte Gjyqësore nuk u parapri nga asnjë konsultim efektiv në fazën e ideimit të saj me Grupet e Interesit, duke ecur me logjikën e faktit te kryer dhe të dhunës së kartonave.

Ndërkohë sot mijëra qytetarë detyrohen të udhëtojnë me orë të tëra, në përpjekje për të vënë në vend të drejtën e tyre. Kohë dhe shpenzime të shtuara për një vend, ku 67% e qytetarëve jetojnë nën 5 dollarë në ditë.
Një qytetari nga Saranda për të ardhur në Tiranë i duhen shumë më tepër se tre orë. Sipas ekspertëve, duhet jo më shumë se një orë e gjysmë për të shkuar në gjykatë.

Nëse flasim për parametra ndërkombëtarë, shërbimi i drejtësisë duhet të jetë 10 min larg vend qëndrimit të autobusit, sepse duhet të jenë pranë publikut.

Me hartën e re, drejtësia kthehet në një luks që nuk e përballojnë dot të gjithë.
Ajo nuk merr për bazë në asnjë moment nevojat e kategorive të veçanta sociale si minoriteti rom dhe egjiptian, gratë në nevojë, të rinjtë dhe të miturit, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, qytetarët në pamundësi ekonomike, shtetasit e privuar nga liria.

Miratimi i kësaj harte ka asgjësuar të drejtat bazike të qytetarëve për akses të lehtë dhe pa kosto në drejtësi, si dhe për procese të drejta ku të jenë të barabartë në çdo pikëpamje përpara ligjit.
Mbyllja e 18 gjykatave dhe lënia e vetëm 1 gjykate Apeli me juridiksion të përgjithshëm në Tiranë cenon sot aksesin në drejtësi, duke e bërë vetëgjyqësinë rrezik real.

Sot në Apelin e Tiranës ka plot 32 mijë dosje që presin të shqyrtohen dhe vetëm 30 gjyqtarë. Qytetarët do të duhet të presin me vite për të marrë drejtësinë që kërkojnë.
Gjykatat e shkallës së parë janë përgjysmuar në numër (nga 22 kanë mbetur 13), çka i demotivon qytetarët t’i shohin ato si mekanizma të zgjidhjes së konflikteve.

Harta e re gjyqësore motivon emigracionin dhe zbrazjen e zonave nga avokatet, noterët dhe ekspertët e ligjit, duke i përqendruar vetëm në Tiranë. Kjo do të ndikojë te shpopullimi masiv që u ka ndodhur qyteteve të Shqipërisë vitet e fundit.

Kjo hartë nuk është rastësi, por vazhdimi i një axhende të qartë të qeverisë për shpopullimin e vendit duke mbyllur shërbimet e duke e bërë gjithnjë e më të vështirë jetesën normale në këtë vend.

Me 11 shkurt, shqiptarët do të jenë të gjithë në këmbë për drejtësinë që kjo qeveri po ua bën të pamundur.
11 shkurti është dita për të kërkuar llogari deri më një për çdo të drejtë të mohuar nga kjo qeveri e kapur.
11 shkurti është dita kur populli vendos.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb